Egnatia dorëzohet në “ruletën ruse” dhe e mbyll këtu ëndrrën Champions League

Pas barazimit 3-3 në ndeshjen e parë, Egnatia ka barazuar 2-2 ndaj Celje në ndeshjen e kthimit, por rrogozhinasit u mposhtën 4-2 në pika e bardhë e penalltisë.

Sfida u zhbllokua në minutën e 21-të, ku pas një kundërsulmi të shpejtë të Egnatias dhe krosimit të Loukili, ishte Daniel Adjessa që goditi me kokë, por topi u devijua nga qendërmbrojtësi vendas, Darko Hrka dhe përfundoi në portë.

Në minutën e 34-të, vendasit gjejnë golin e barazimit me Mario Kvesic, i cili ekzekutoi një goditje përfekte dënimi. Kvesic shënoi dy gola në barazimin 3-3 në Rrogozhinë, një javë më parë. Pjesa e parë mbyllet 1-1.

Celje e nisi më mirë pjesën e dytë dhe kishte një rast të pastër shënimi me Armandas Kucys në minutën e 53-të, por portieri Dajsinani bëri një pritje shumë të mirë.

Minutat në vijim ishin të qeta dhe pa ndonjë rrezik serioz për të dyja ekipet. Koha e rregullt mbyllet 1-1. Ndeshja shkon në shtesën prej 30 minutash.

Në minutën e 95-të, Eneo Bitri shkakton një faull brenda zonës pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Rudi Pozeg. Arbitri jep penallti. Godet Kvesic, topi përfundon në rrjetë dhe Celje kalon në avantazh 2-1.

Në minutën e 114-të, Egnatia barazon shifrat. Me një aksion model dhe krosimit të Edison Ndrecës, ishte Geralb Smajli që dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur brenda zonës.

Rezultati pas 120 minutash lojë mbyllet 2-2 dhe ekipet i drejtohen pikës së bardhë të penalltisë. Nga “ruleta ruse”, futbollistët e Celje u treguan më të saktë duke fituar 4-1. Për rrogozhinasit gabuan Bitri dhe Ndreca. Egnatia mbyll këtu rrugëtimin në Champions League, por jo në Europë. Rrogozhinasit do të marrin pjesë tani në raundin e tretë në Conference League ku do të përballen me irlandezët e Shamrock Rovers.

The post Egnatia dorëzohet në “ruletën ruse” dhe e mbyll këtu ëndrrën Champions League appeared first on Telesport.