Barcelona ka pyetur për mundësinë e transferimit të Rodrit, mesfushorit të Manchester Cityt, i cili gjithashtu kërkohet edhe nga Real Madridi, gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.
Në moshën 30-vjeçare, Rodri ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha të Europës.
Një pjesë e kësaj lidhet me paraqitjet e tij të shkëlqyera në Kupën e Botës, ku udhëhoqi Spanjën drejt titullit si shtylla kryesore e mesfushës.
Arsyeja tjetër është situata kontraktuale: ai ka vetëm edhe një vit kontratë me Manchester Cityn dhe ende nuk ka nënshkruar rinovimin.
Kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, e kishte përfshirë Rodrin në premtimet e tij elektorale, përpara se mesfushori të bëhej një nga objektivat kryesorë të presidentit Florentino Pérez për të përforcuar mesfushën dhe për t’iu përgjigjur kërkesave të tifozëve madrilenë.
Megjithatë, Real Madridi nuk është i vetmi klub që po e ndjek.
Gazetari Oriol Domenech zbuloi në emisionin “Tot Costa”, në deklarata të cituara nga gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”: “Barcelona ka kontaktuar për të testuar terrenin lidhur me mundësinë e transferimit të Rodrit”.
Sipas Domenech, dëmtimi i Frenkie de Jong e ka shtyrë Barcelonën të shqyrtojë afrimin e një mesfushori të nivelit më të lartë, duke e bërë Rodrin opsionin ideal për atë rol.
Ai gjithashtu theksoi se Rodri ka një kimi të shkëlqyer me lojtarët e Barcelonës në Kombëtaren e Spanjës.
Për më tepër, me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij, Manchester City mund të pranojë një ofertë të arsyeshme, pavarësisht se Rodri konsiderohet një nga mesfushorët më të mirë në botë dhe fitues i Topit të Artë 2024.
Për Rodrin në garë ishte edhe PSG-ja, mirëpo “Le Parisien” ka bërë me dije se klubi nga kryeqyteti francez nuk do ta transferojë këtë verë mesfushorin spanjoll, sepse beson se veçse e ka mesfushën më të mirë në botë.
Megjithatë, sipas mediumeve tjera, si spanjolle, ashtu edhe angleze, Rodri tashmë ka rënë dakord me kushtet e ofruara nga Real Madridi, dhe është pajtuar të nënshkruajë një kontratë deri në vitin 2030 me klubin madrilen, duke qenë dëshira e tij më e madhe për të kaluar te “Los Blancos”.







