Analisti politik Ilir Kulla ka komentuar deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj Kosovës, duke thënë se ato tregojnë rikthimin e retorikës nacionaliste nga ana e tij.
I ftuar në emisionin “Matrix” në Tëvë1, në moderim të Mehmet Kalisit, Kulla ka deklaruar se nuk është befasuar nga qëndrimet e Vuçiqit, duke thënë se sipas tij, ai përfaqëson një nacionalizëm të trashëguar serb dhe jo një qasje pro-evropiane.
“E vetmja surprizë është për ata që kanë menduar se Vuçiqi është një lider paqësor dhe pro-evropian i Serbisë. Unë gjithmonë kam qenë i qartë dhe kam thënë se ky njeri, kur ulet me perëndimorët flet anglisht, ndërsa kur ulet me të vetët flet atë që ka brenda mendjes dhe shpirtit të tij”, ka thënë Kulla.
Sipas tij, deklaratat se Vuçiqi paraqitet si lider që kërkon stabilitet, ndërsa në raste të tjera përdor gjuhë nacionaliste, kanë shërbyer për të krijuar një imazh tjetër para diplomatëve perëndimorë.
Kulla ka vlerësuar se presidenti serb po përdor sërish retorikën nacionaliste, sidomos në prag të zhvillimeve të reja politike në Serbi.
“Kur ai i afrohet kohës së zgjedhjeve të reja, në të cilat nuk do të jetë më president, por synon të vazhdojë në politikë si kryeministër, rikthehet edhe njëherë te gjuha e nacionalizmit ekstrem. Dhe tema që e ka mbajtur në pushtet është Kosova”, ka deklaruar ai.
Duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se “sipas Kushtetutës dhe të drejtës së Zotit, Kosova është pjesë e Serbisë”, Kulla tha se kjo qasje, sipas tij, është e ngjashme me diskursin e viteve ’90.
“Ai është një shtet që zyrtarisht është laik, por në çdo vendimmarrje dhe qëndrim dogmatik përdor të njëjtën logjikë që është përdorur në vitet ’90. Shprehja për të drejtën hyjnore është një pretendim që ngre pyetjen: kush është Aleksandar Vuçiqi që të thotë se ekziston një e drejtë hyjnore mbi një shtet tjetër?”, ka thënë Kulla.
Ai ka shtuar se deklarata të tilla, sipas tij, nuk kontribuojnë në procesin e paqes dhe bashkëjetesës në rajon./teve1.info/







