Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatës “Albanians for America”, Gino Mulliqin dhe Gëzim Rushitin, me të cilët ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e këtyre lidhjeve.
Përmes një njoftimi, Haxhiu theksoi se historia e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në nuk mund të shkruhet pa rolin e diasporës shqiptaro-amerikane, e cila, sipas saj, për dekada ka mbajtur çështjen e Kosovës në vëmendjen e Kongresit, administratës amerikane dhe opinionit publik, duke ndërtuar mbështetje të gjerë përtej vijave partiake.
Ajo vlerësoi se kjo trashëgimi mbetet një nga shtyllat kryesore të partneritetit strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Haxhiu gjithashtu falënderoi përfaqësuesit e organizatës “Albanians for America” për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në fuqizimin e zërit të shqiptarëve në SHBA dhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me diasporën në avancimin e interesave shtetërore.








