Kërkoj që të hetohet në detaje ky profil në rrjetet sociale

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka denoncuar sot në Prokurorinë Speciale profilin “Lule Gjeli”, raporton Ekonomia Online.

Deliu-Kodra tha se ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ky profil të hetohet në detaje, duke theksuar se vitet e fundit në Kosovë është përhapur në masë të madhe gjuha e urrejtjes.

“Kam kërkuar nga Prokuroria Speciale, në dëshminë time, që të hetohet në detaje ky profil në rrjetet sociale, të hetohet veprimtaria e tij dhe, natyrisht, kam kërkuar edhe nga institucionet e drejtësisë që ta trajtojnë çdo profil që merret me linçim dhe nxit urrejtje. Sepse vitet e fundit, ajo që kemi parë si shtet dhe si institucione është një përhapje e skajshme e gjuhës së urrejtjes dhe e linçimit publik, ndërkohë që ka pasur edhe cenim të sigurisë së qytetarëve të Kosovës. Pra, ka profile në rrjetet sociale që janë të rreme dhe që, në mënyrë sistematike, kanë cenuar jo vetëm figurat publike, por kanë ndikuar edhe në përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe në linçimin e tyre”, tha ajo.

Deputetja e zgjedhur falënderoi institucionet e drejtësisë për gatishmërinë e tyre në trajtimin e këtyre rasteve dhe theksoi se lajmet e rreme nuk duhet të shërbejnë si mjet për linçimin dhe përbaltjen e figurave publike.

“Si njëra prej personave që jam e përfshirë në këtë rast, kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta trajtojë me përpikëri këtë rast. Natyrisht, dua të falënderoj gatishmërinë e institucioneve të drejtësisë për t’u marrë dhe për t’i trajtuar këto raste, të cilat në botë kanë pasur pasoja. Pra, lufta, ose më mirë të them beteja, kundër lajmeve të rreme vazhdon të jetë një temë shumë e rëndësishme, e cila është në fokus të mediave ndërkombëtare. Edhe Republika e Kosovës, si shtet demokratik dhe kushtetues, duhet ta trajtojë me përpikëri këtë fenomen dhe të sigurojë që lajmet e rreme të mos përdoren për të linçuar dhe përbaltur figurat publike në Republikën e Kosovës”, u shpreh ajo.

Deliu-Kodra inkurajoi institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre dhe u shpreh e gatshme të bashkëpunojë me to.

“Inkurajoj institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre. Unë do të jem këtu për të bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë, me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, që ky rast të marrë epilog, por edhe rastet e tjera që i shohim çdo ditë dhe që mendoj se kanë një burim të përbashkët, prej nga vijnë dhe vazhdojnë të linçojnë”, përfundoi ajo