Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu e ka paralajmëruar ashpër Këshillin Gjyqësor të Kosovës para mbledhjes së sotme të këtij mekanizmi, ku pritet të shqyrtojë kërkesën e ish-gjyqtarëve serbë për rikthimin në vendet e tyre të punës.
Rreth dy orë para mbledhjes së KGjK-së, Haxhiu i bëri presion direkt anëtarëve të KGjK-së të votojnë kundër pranimit të tërheqjes së dorëheqjeve të ish-gjyqtarëve serbë.
U.d. presidentja tha se ish-gjyqtarët në fjalë janë përfshirë në veprime kundër rendit juridik dhe kushteutes të Kosovës.
Kur u pyet se çfarë veprime do të ndërmarrë si presidente në detyrë në rast se KGjK vendos për rikthimin në punë të ish-gjyqtarëve, Haxhiu tha se kjo do të rezultonte në një situtatë të paprecedent dhe shumë të rrezikshme.
“Nuk po dua të mendoj një situatë tjetër se përnjëmend do të jetë e paprecedent, shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme. Nuk mund të vlejnë standardet e dyfishta në Republikën e Kosovës. Nuk mund të lejojmë shkeljen e Kushtetutës dhe Ligjit para syve tanë”, tha Haxhiu.
“Cilat do të jenë veprimet, natyrisht do të flasim pasi të ndodhë një gjë e tillë – por uroj shumë që një gjë e tillë mos të ndodhë”, paralajmëroi sërish ajo.








