Një tjetër aksident fatal në Kosovë, këmbësori vdes në Vragoli

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku në orët e para të mëngjesit të së premtes në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë.

Aksidenti me fatalitet ka ndodhur në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti.

“Sot, më datën 24.07.2026, rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Vragoli, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku një veturë me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar ka goditur një person, këmbësor të gjinisë mashkullore”, ka thënë Mehmeti.

Sipas saj, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipet mjekësore, të cilat kanë konstatuar vdekjen e këmbësorit.

Mehmeti bëri të ditur se nga aksidenti kanë pësuar lëndime edhe drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime po ashtu kanë marrë i dyshuari, vozitësi i veturës, si dhe një pasagjer”, deklaroi zëdhënësja e Policisë.

Për rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa njësitet përkatëse policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.