Një javë e rëndë është regjistruar në rrugët e Kosovës dhe rajonit, ku në disa aksidente të ndodhura brenda pak ditësh kanë humbur jetën gjithsej 9 persona.
Ngjarjet tragjike kanë tronditur opinionin publik dhe kanë lënë pas dhimbje për familjet e viktimave, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtyre aksidenteve.
Bilanci më i rëndë u shënua në një aksident tragjik në Maqedoninë e Veriut, ku tre qytetarë të Kosovës humbën jetën.
Një tjetër aksident me pasoja fatale ndodhi në Istog, ku humbën jetën dy persona. Ngjarja e rëndë ka rikthyer edhe një herë shqetësimet për sigurinë në komunikacion dhe rreziqet që paraqesin aksidentet në rrugët e vendit.
Po ashtu, gjatë kësaj jave u raportuan edhe disa raste të tjera tragjike.
Në një vetaksident në afërsi të Komoranit, një person humbi jetën, ndërsa tre të tjerë u lënduan.
Në Shirokë Suharekës, një 52-vjeçar vdiq pas një vetaksidenti, ndërsa një grua humbi jetën disa ditë pas një aksidenti të rëndë në Mitrovicë.
Një tjetër viktimë u regjistrua sot në aksidentin me fatalitet në Studime të Vushtrrisë, ku policia dha detaje për rrethanat e ngjarjes.
Brenda vetëm një jave, këto raste kanë marrë jetën e 9 personave, duke shënuar një bilanc të dhimbshëm dhe duke ngritur alarmin për kujdesin e shtuar në trafik.
Shpejtësia, pakujdesia dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në sigurinë rrugore vazhdojnë të jenë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda.
Autoritetet u kanë bërë thirrje vazhdimisht shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të tregojnë kujdes gjatë ngasjes dhe të shmangin sjelljet që mund të rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.








