Shkruan: Gëzim Saraçi
Lëvizja Vetëvendosje për shumë vite u identifikua me një mënyrë të veçantë të opozitarizmit, e cila në komunikimin publik politik solli një gjuhë të ashpër dhe konfrontuese të përballjes politike në Kosovë.
Përkundër progresit të madh dhe arritjeve kulmore që i sollën Kosovës pushtetet e kaluara, të udhëhequra apo të bashkudhëhequra nga eksponentë të luftës, duke filluar nga lufta çlirimtare, nuk mund të mos përmenden edhe shpërdorimet dhe të bëmat e tyre që po i bënin nën petkun e kontributdhënësve për çlirim, qoftë duke qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pushtet, qoftë nëpërmes njerëzve që ata i instalonin aty. Shkalla e korrupsionit, nepotizmit dhe klientelizmit ishte e lartë.
Të gjitha këto, dhe jo vetëm, krijuan terren të përshtatshëm për LVV-në që të përdorte çdo mjet për të arritur qëllimin e saj, marrjen e pushtetit. Lëvizja Vetëvendosje e ndërtoi diskursin e saj politik mbi idenë se Kosovës po i kanoseshin rreziqe të mëdha dhe se, për ta ndalur të keqen, çdo mjet konsiderohej apo duhej të konsiderohej i lejueshëm.
Nevoja për ta ndryshuar “mendësinë qeverisëse” dhe “për ta mbrojtur Kosovën” për shumë prej nesh dukej e domosdoshme, madje për dikë përbënte edhe akt patriotik, ndërsa alternativa e vetme që ofrohej ishte Lëvizja Vetëvendosje. Mbështetja për ndryshim nuk mungoi. Ndryshimi politik në Kosovë ndodhi.
Nga ky ndryshim pritej që të vendosej një standard i ri në mënyrën e qeverisjes. Por, LVV-ja, edhe në pushtet, vazhdoi të funksionojë me logjikën e opozitës, duke e zhvendosur debatin nga përgjegjësia për qeverisje te përplasjet e vazhdueshme politike, tani kundër një opozite të dërmuar politikisht.
Natyrisht, në qeverisjen rreth gjashtëvjeçare të LVV-së pati edhe arritje, por mendësia qeverisëse e keqpërdorimit të pushtetit përmes korrupsionit, nepotizmit dhe klientelizmit, që ishte instaluar gjatë pushteteve të kaluara, kishte nevojë të çrrënjosej e jo vetëm të ndërroheshin emrat e protagonistëve.
Nëse dikur pushteti keqpërdorej dhe shteti vidhej duke u thirrur në vlerat e luftës apo vlerat e pacifizmit, sot pushteti keqpërdoret dhe shteti vidhet duke u thirrur në “vlerat” e largimit të hajnave nga pushteti.
Mbi këtë bazë, natyrshëm vjen pyetja: 𝐏𝐬𝐞 (𝐬’)𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭’𝐢 𝐛𝐞𝐬𝐨𝐣𝐦ë 𝐀𝐥𝐛𝐢𝐧 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢𝐭?
Në shoqëritë demokratike, qytetarët nuk duhet të besojnë verbërisht, por besimin ta ndërtojnë mbi atë se sa politikanët u qëndrojnë besnikë parimeve të tyre politike, veçanërisht parimeve të proklamuara gjatë kohës kur ata ishin në opozitë. Sepse besimi duhet të ndërtohet mbi përputhjen mes fjalëve dhe veprave. Dhe nuk është e nevojshme të pimë një filxhan të tërë kafeje për ta kuptuar se kafesë i mungon sheqeri.
Tani mund të zgjedhim nëse duam ta pimë kafenë pa sheqer, dhe të themi se ajo ka shije mjalti, apo ta kthejmë kastën e vjetër politike dhe të themi se ata janë shpresa jonë.
Përballë këtyre dy zgjedhjeve, unë zgjodha të qëndroj neutral, sepse kalimi i Albin Kurtit nga opozita në pushtet u shoqërua me një metamorfozë të thellë politike, e cila më bëri ta humb besimin tek ai, ndërsa kthimin e kastës së vjetër politike nuk e kërkova.
Po aq sa të korruptuarit, Kosovës i bëjnë dëm edhe ata që mundësojnë që korrupsioni të lulëzojë.