Abrashi nga VV-ja: S’kemi datë për seancën, por më thanë që shumë shpejt

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka bërë të ditur se deputetët e kësaj partie ndodhen në gjendje gatishmërie, pasi pritet që së shpejti të ketë zhvillime konkrete për formimin e institucioneve të reja.

Në një deklaratë për Kallxo.com, Abrashi tha se ende nuk është caktuar data e seancës konstituive, por se nga LVV-ja po bëhen përpjekje për të gjetur një rrugë bashkëpunimi me partitë e tjera.

“Nuk ka ndonjë datë të caktuar, por më thanë që shumë shpejt. Ka tash disa ditë që ne jemi në gjendje gatishmërie, flas për deputetët e zgjedhur”, ka deklaruar ai.

Sipas Abrashit, gatishmëria e deputetëve lidhet me pritshmëritë se mund të arrihet një marrëveshje politike para mbajtjes së seancës konstituive. Ai shtoi se LVV-ja është e angazhuar për të gjetur bashkëpunim, por zhvillimet varen edhe nga qëndrimet e partive të tjera.

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive pritet të mbahet në fillim të muajit gusht, brenda afatit kushtetues që përfundon më 7 gusht.

Ajo tha se data e saktë do të bëhet publike javën e ardhshme dhe theksoi se u është lënë kohë partive politike për të arritur një marrëveshje, me qëllim që të shmanget një bllokadë institucionale dhe mundësia e zgjedhjeve të reja.

Procesi i negociatave mbetet i paqartë pas zhvillimeve të fundit në LDK. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, njoftoi se ka pezulluar angazhimin në bisedimet për formimin e institucioneve, pasi 148 delegatë kanë kërkuar mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm për votëbesimin ndaj tij.

Në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, LVV fitoi 53 ulëse në Kuvend, PDK 22, LDK 18, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7, ndërsa 20 ulëse u takojnë komuniteteve joshumicë. Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh, vendi shkon sërish në zgjedhje.