Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, sot duke filluar nga ora 09:00, pritet të mbahet seanca në mungesë e shqyrtimit fillestar ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në lidhje me përleshjen e armatosur mes grupeve “Capat” dhe “Sekiraqët”, e ndodhur gjatë vitit 2024 në lagjen Aktash të Prishtinës.
Sipas njoftimit të Gjykatës, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci akuzohen gjithashtu se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Me propozim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Përmes njoftimit publik, gjykata u ka bërë thirrje Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes në Republikën e Kosovës. Njëkohësisht, qytetarët që posedojnë informacione mbi vendndodhjen e tyre janë ftuar t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës ose te organet e tjera kompetente.
Seanca e shqyrtimit fillestar do të mbahet më 21 korrik 2026, duke filluar nga ora 09:00, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, objekti D, salla nr. 27. Seanca do të drejtohet nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatime Dermaku.
Kujtojmë se në lidhje me këtë ngjarje, ku mbeti i vrarë person, është ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave.
Sipas aktakuzës, të pandehurit K.R; V.A; D.M; E.M, të grupit të njohur me nofkën ‘’C’’, me datë 01.09.2024, rreth orës 22:04, në lokalin “From” dhe jashtë tij, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, në bashkëkryerje, pas një marrëveshje paraprake janë mbledhur, janë maskuar dhe janë pajisur armë të gjata dhe armë të shkurtra (revole) si dhe mjete të forta (stupca). Të njëjtit kanë marrë në përdorim tri (3) vetura të markave Porsche, Volkswagen Polo dhe Audi A7, të cilave ua kanë ndërruar targat duke vendosur targa të vjedhura duke tentuar ta privojnë nga jeta të pandehurit tjerë S. S., dhe anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A;E.LL, dhe R.LI.
Me këto veprime, sipas PTH, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafët 1.5 dhe 1.11, lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 i KPRK-së.
“Ndërkohë, i pandehuri S. S., së bashku me anëtarët e grupit të tij, përkatësisht F.A;E.LL, dhe R.LL. me dashje dhe dijeni, të përgatitur me armë zjarri, në bashkëkryerje dhe me qëllim të privimit nga jeta dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes të dy grupeve, në po në të njëjtin vend kanë privuar nga jeta të ndjerin P:G, dhe kanë tentuar të privojnë nga jeta edhe të pandehurit tjerë. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale Vrasje e Rëndë nga neni 173 par. 1 nënpar. 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Po ashtu të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri V.B akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulim me prova”, nga neni 389 par 1, të KPRK-së si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par. 1 i KPRK-së.
“Sipas hetimeve, motivi i këtij sulmi lidhet me një konflikt të mëhershëm të datës 04.03.2024, të ndodhur ndërmjet SH.S. (djalit të të pandehurit S.S) dhe P.G. (vëllait të tani të ndjerit P.G.), konflikt i cili ka përshkallëzuar armiqësinë ndërmjet dy grupeve. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurve të lartcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”.








