Ndalohet për 48 orë shoferi që shkaktoi aksidentin ku dy persona humbën jetën në Istog

Është ndaluar për 48 orë shoferi i dyshuar se shkaktoi aksidentin e rëndë në fshatin Shushicë të Istogut, ku humbën jetën dy persona.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur më 20 korrik 2026, rreth orës 15:20, ku u përfshinë dy vetura me targa vendore, transmeton Klankosova.tv.

Një person ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima e dytë ka ndërruar jetë pasi është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë.

Tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar dhe po trajtohen në spital.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet nga hetuesit e aksidenteve të trafikut.