Kryenegociatori Bajrami alarmon Sorensenin për deklaratat e Paunoviqit

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se e ka ngritur edhe në Bruksel zyrtarisht çështjen e deklaratave fashiste të ministres serbe, Snezhana Paunoviq.

Në një shkrim në X, Bajrami ka thënë se për këto deklarata e ka alarmuar edhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Bajrami ka shkruar se deklarata e Paunoviqit se “po të ishte në vend të Millosheviqit do të bënte spastrim etnik në Kosovë”, është diçka që e mendon edhe presidenti serb. Sipas tij, deklarata dhe qëndrime të tilla shkelin edhe Marrëveshjen e Brukselit 2023.

“Deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarë serbë paraqesin shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit më 2023, preambula e së cilës i angazhon palët ‘të tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës’ dhe e pohon se ‘paprekshmëria e kufijve dhe respektimi për integritetin dhe sovranitetin territorial… janë kusht thelbësor për paqe”, ka shkruar Bajrami. “Kjo retorikë minon seriozisht Dialogun e BE-së, besimin dhe normalizimin e bazuar në njohje reciproke dhe respekt. Distancimi i Serbisë është thjesht premtim bosh – jo pendim i sinqertë apo refuzim i krimeve të epokës së Millosheviqit”.

Ai ka shtuar se Kosova është e përkushtuar në proces, por vetëm nëse mbështeten parimet themelore të tij.

“Çfarë vlere ka të flasësh për zbatimin e tyre kur Serbia vazhdon t’i shkelë Marrëveshjet me fjalë dhe me vepra?”, ka shkruar ai.

Para pak ditësh, Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta pastronte etnikisht Kosovën.

Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta, si në Kosovë e Serbi ashtu edhe në Bashkimin Evropian.