Arritje e re për Korin e Fëmijëve “Okarina”, garë për herë të parë, por me dy medalje në Greqi

Kori i Fëmijëve “Okarina” shkruan një faqe të re në historinë e koraleve të fëmijëve në Kosovë, duke u bërë kori i parë i fëmijëve nga Kosova dhe i gjithë trevave shqipfolëse që merr pjesë në garën ndërkombëtare të Festivalit të koreve në Greqi.
Brenda vetëm 18 ditësh, pa pushim, me energji të jashtëzakonshme dhe me përkushtim të madh, zërat e fëmijëve tanë udhëtuan nëpër skena evropiane, duke përfaqësuar Kosovën me dinjitet, kulturë dhe art.
Nga Berlini, me paraqitje në skena prestigjioze, përfshirë Sallën e Filarmonisë së Berlinit, deri në Hamburg, e më pas në garën ndërkombëtare të Festivalit Koral të Prevezës në Greqi , çdo hap i këtij rrugëtimi ishte një dëshmi e punës së palodhur dhe dashurisë për muzikën.
Përballë koreve me traditë të gjatë dhe përvojë të madhe artistike, përballë koreve të cilat kudo shpërblehen me medalje të artë, “Okarina” dëshmoi se zëri i fëmijëve shqiptarë ka vend në skenat më të mëdha ndërkombëtare.
Ky rrugëtim historik u kurorëzua me:
🥈 Medalje të Argjendtë – Kategoria F
🥉 Medalje të Bronztë – Kategoria C
Në një moment me simbolikë të veçantë, zërat e fëmijëve të “Okarinës” jehuan poashtu në një nga kishat më interasante në Prevezë , kishë ortodokse në Greqi, duke sjellë përmes muzikës një mesazh miqësie dhe bashkimi. Në atë hapësirë , si asnjëherë më parë , u dëgjua krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë, vepra të krijuara nga artistë që gjithë jetën ia kushtuan ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës shqipe.
18 ditë. Pa pushim. Me energji, pasion dhe besim.
Një udhëtim i mbushur me histori, emocione dhe dy medalje ndërkombëtare.
Kori i Fëmijëve “Okarina” duke e çuar zërin e Kosovës dhe muzikën shqiptare përtej kufijve.