Kush është Zejnullah Gashi, i nominuari për Kryeprokuror të Shtetit?

Pas 26 vitesh karrierë në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi ka arritur majat e sistemit.

Të hënën, prokurori me origjinë nga Prizreni është nominuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai mori pesë vota të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, në një votim të fshehtë të realizuar të hënën.

Gashi ka një karrierë të gjatë në institucione. Ai është pjesë e strukturave shtetërore të sigurisë dhe drejtësisë që nga viti 2000.

Deri në vitin 2010, Zejnullah Gashi ka punuar në Policinë e Kosovës në Stacionin Policor në Prizren. Aty është graduar deri në shef të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Në vitin 2010, Gashi, jurist me profesion, është dekretuar si gjyqtar në sistemin gjyqësor. Ka shërbyer për pesë vjet si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren.

Më 2015, është dekretuar si prokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren. Ka ushtruar funksionin e zëvendëskryeprokurorit. Në të njëjtën kohë, Gashi ka përfaqësuar Prokurorinë e Prizrenit si anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Nga viti 2023 deri sot, Gashi vazhdon të ushtrojë pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Disa muaj më parë, më 26 mars të këtij viti, Gashi ishte shfaqur në shoqërinë e disa funksionarëve të lartë shtetërorë në Bratisllavë të Sllovakisë. Kishte udhëtuar atje për ndeshjen futbollistike mes Sllovakisë dhe Kosovës.

Një fotografi e realizuar në stadiumin e Bratisllavës, e shfaqte Gashin në shoqërinë e tre kryetarëve të komunave, përfshirë Përparim Ramën e Prishtinës. Në fotografi shihet edhe Trim Ademi, djali i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. I pari i federatës ishte hetuar disa herë penalisht nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilën e udhëheq Gashi.

Në maj të këtij viti, portali Kallxo.com publikoi një hulumtim për një takim të Zejnullah Gashit me ish-ministren e Drejtësisë, tashmë u.d. presidenten, Albulena Haxhiu.

Hulumtimi mbështetet në një kallëzim penal të deponuar në Prokurorinë Speciale nga Policia e Kosovës.

Sipas këtij kallëzimi, Kryeprokurori Gashi i kishte shkuar Haxhiut pa paralajmërim në zyrë në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas një deklarate të Haxhiut dhënë hetuesve policorë, Gashi i ishte sqaruar ministres për një rast që po e hetonte Prokuroria Themelore në Prishinë.

I ndjekur penalisht në këtë rast ishte Lavdim Krasniqi, një kushëri i Alban Krasniqit, bashkëshortit të ish-ministres së Drejtësisë.

Sipas Haxhiut, Gashi i ishte sqaruar asaj se nuk ishte duke e hetuar Lavdim Krasniqin për hakmarrje politike. /Paparaci.com