Përpara se të bëhej qendërsulmuesi që dominon Premier League dhe një nga lojtarët më të fortë në botë, Erling Haaland ishte një fëmijë nga Bryne me topin në këmbë dhe shumë dëshirë për t’u përmirësuar. Hapat e tij të parë i ndoqi Alf Ingve Berntsen, trajneri i tij i parë, i cili e shoqëroi gjatë viteve të formimit te Bryne FK dhe pa të lindnin ato karakteristika që sot e bëjnë një sulmues unik.
Në prag të çerekfinales kundër Anglisë, ndeshjes më të rëndësishme në historinë e Norvegjisë në Botëror, Berntsen tregoi se si ishte Haaland përpara rekordeve dhe trofeve, detajet që porej atëherë e bënin të ndryshëm nga bashkëmoshatarët e tij dhe rrugëtimin e një kombëtareje që, falë një brezi të artë të udhëhequr pikërisht nga Erling dhe Martin Odegaard, ka arritur aty ku asnjë skuadër norvegjeze nuk kishte mbërritur më parë, në çerekfinale të Kupës së Botës.

Erling ishte 6 vjeç kur nisët ta stërvitnit. Cili është kujtimi i parë që ju vjen në mendje kur mendoni për atë si fëmijë?
Gjithmonë kam menduar se ishte një lojtar shumë i fortë, që nga dita e parë.
A ka ndonjë episod apo histori nga ato vite që tregon më mirë se kush ishte vërtet Erling kur ishte i vogël?
Nuk ka një episod të veçantë. Ai ishte thjesht një nga 40 fëmijët që stërviteshin së bashku. Erling stërvitej shumë, buzëqeshte shumë dhe shënonte shumë. Ishte shumë i dashur nga grupi dhe nuk ka marrë kurrë trajtim të veçantë.
Nga ana futbollistike, si ishte i ri? A kishte që atëherë cilësi të jashtëzakonshme dhe cilat aspekte të lojës së tij duhej ende t’i përmirësonte?
Fizikisht i mungonte ende diçka. Nuk ishte i shkurtër, por ishte shumë i dobët. Për këtë arsye duhej ta kompensonte me inteligjencën dhe teknikën.
A kishte diçka që Erling bënte në stërvitje ose jashtë fushës që fëmijët e tjerë të moshës së tij nuk e bënin? Dhe kur e kuptuat se kishte gjithë këtë potencial?
Ai nuk kishte kurrë frikë të provonte. Që i vogël ishte i interesuar për ushqimin dhe zakonet e duhura të gjumit. Kur ishte rreth 12 vjeç, nisëm të kuptonim se ai mund të shpërthente vërtet.

Babai i tij, Alf-Inge, është ish-lojtar. A konsultohej me ju për rritjen futbollistike të djalit? Çfarë marrëdhënieje kishte Erling me shokët e skuadrës?
Babai i tij ishte një model perfekt. Nuk ndërhynte kurrë dhe e linte Erling të rritej e të zhvillohej vetë. Erling ishte shumë i dashur nga grupi, edhe sot ka miq shumë të afërt nga ajo skuadër. Disa prej tyre janë me të në SHBA këto ditë.
Norvegjia ka qenë një nga surprizat e mëdha të këtij Botërori. Sipas jush, cili është sekreti i këtij brezi?
Martin Odegaard iu ka treguar të gjithë të rinjve se mund të bëhesh një futbollist i madh edhe nëse vjen nga Norvegjia. Kjo i dha besim Erling-ut dhe gjithë brezit të tij të futbollistëve.

Gjatë karrierës suaj keni kontribuar në rritjen e shumë futbollistëve të rinj. Çfarë ka ndryshuar në futbollin norvegjez vitet e fundit? Pse sot Norvegjia arrin të prodhojë kaq shumë talente?
Stërvitjet në grup janë të një cilësie të lartë dhe rikrijojnë sa më shumë situatat që mund të ndodhin gjatë një ndeshjeje. Për më tepër, ne nuk i mbingarkojmë kurrë fëmijët: kërkojmë ekuilibrin e duhur mes punës me skuadrën dhe asaj individuale. I lëmë fëmijët të jenë fëmijë dhe nuk i stërvitim sikur të jenë tashmë të rritur.
Çfarë ndjeni personalisht kur shihni atë fëmijë që stërvitnit në Bryne, sot duke luajtur Botërorin e tij të parë me fanellën e Norvegjisë?
Jam krenar për të. Sigurisht për atë që bën në fushë, por edhe më shumë për sjelljen e tij. Është një djalë i sjellshëm dhe i gatshëm për të ndihmuar dhe përfaqëson rajonin tonë në mënyrën më të mirë. Gjatë gjithë viteve që u stërvit me ne kishim tri rregulla: të ishim të përpiktë, të jepnim gjithmonë maksimumin dhe të silleshim mirë. Besoj se Erling ende sot ndjek këto parime që mësoi kur ishte fëmijë dhe, për mua, kjo vlen më shumë se çdo rezultat.
The post Flet trajneri që zbuloi Haaland: Ishte shumë i dobët, por kishte një mendje ndryshe nga të tjerët appeared first on Telesport.







