Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Philippe Diallo, ka dënuar deklaratat e ish-kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy për kombëtaren franceze, duke i cilësuar “me erë të padurueshme racizmi” dhe krejtësisht në kundërshtim me realitetin.
“Fjalët e Mariano Rajoy për kombëtaren e Francës kanë një erë të padurueshme racizmi. Ato ushqejnë një klimë të neveritshme”, – shkroi Diallo në rrjetet sociale.
Ai mbrojti identitetin e lojtarëve të “Les Bleus”, duke theksuar: “Lojtarët tanë nuk kanë pse të marrin certifikatë shtetësie nga një ish-kryeministër spanjoll. Kombëtarja e Francës është kombëtarja e Francës”.

Reagimi erdhi pasi Rajoy shkroi se Franca është “një skuadër e nivelit shumë të lartë, por pa francezë”, deklaratë që shkaktoi reagime të forta në Francë.
Qeveria franceze e cilësoi komentin “absolutisht të papranueshëm” dhe “absurd”. Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez theksoi se Franca është “një republikë e larmisë”, ndërsa ministrja Éléonore Caroit shtoi: “Të gjithë lojtarët e kombëtares së Francës janë francezë. Pikë”.
Polemikat vijnë pas sulmeve të fundit ndaj futbollistëve francezë për origjinën e tyre, veçanërisht ndaj kapitenit Kylian Mbappé.
The post Federata Franceze sulmon ish-kryeministrin spanjoll: “Deklarata me erë të padurueshme racizmi” appeared first on Telesport.








