Një nënë ka ndarë përvojën e saj pas qëndrimit në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku kishte dërguar djalin e saj dyvjeçar për trajtim pas disa ditësh me të vjella dhe diarre.
Sipas rrëfimit të saj, pas kontrollit mjekësor dhe analizave, fëmija u vendos të shtrohej në Pediatri për shkak të gjendjes shëndetësore.
Ajo ka treguar se gjatë qëndrimit në klinikë është përballur me vështirësi që lidhen me mungesën e disa kushteve bazike, duke përmendur pritjen për pranim, vështirësi gjatë vendosjes së kanilës, si dhe shqetësime për higjienën në dhomën ku duhej të qëndronte djali i saj.
“Një fëmijë dyvjeçar, i sëmurë, i dehidratuar dhe i lodhur, duhej të shpohej disa herë derisa procedura të kryhej me sukses”, ka shkruar ajo, duke shtuar se kishte kërkuar që procedura të kryhej nga dikush me më shumë përvojë.
Nëna ka ngritur shqetësime edhe për kushtet në repart, duke pretenduar se në dhomë kishte mungesë të çarçafëve të pastër, sapunit dhe mjeteve bazike të higjienës.
Ajo ka theksuar se kërkesat e saj nuk lidhen me luks, por me kushte minimale për një ambient ku trajtohen fëmijë të sëmurë.
“Ne nuk kërkojmë dhoma private apo komoditete të veçanta. Kërkojmë pastërti, higjienë, masa bazike të kontrollit të infeksioneve dhe komunikim profesional me prindërit”, ka deklaruar ajo.
Në rrëfimin e saj, nëna ka përmendur edhe një situatë pas trajtimit, kur kishte kërkuar heqjen e kanilës së djalit, por sipas saj ishte përballur me vonesa dhe mungesë koordinimi mes stafit të ndërrimeve.
Ajo ka bërë thirrje për përmirësim të kushteve në institucionet shëndetësore, duke theksuar se sakrifica dhe kujdesi i prindërve për fëmijët nuk duhet të zëvendësojë përgjegjësitë e sistemit shëndetësor.






