Gazetari Vehbi Kajtazi ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit në rastin e inspektimit të Qumështores ‘Vita’.
Kajtazi ka thënë se rasti ndërlidhet me pretendimet për rrezikimin e shëndetit publik, që sipas tij, është një vepër e rëndë penale.
Në këtë avaz, gazetari ka deklaruar se duhet të konstatohet nëse është rrezikuar shëndeti publik. Por, siç ka thënë Kajtazi, nëse konstatohet se Qumështorja Vita nuk ka konsumuar vepër penale, atëherë duhet të ndiqen penalisht njerëzit e pushtetit të cilët e kanë urdhëruar dhe ekzekutuar aksionin.
Në emisionin VV Show, Kajtazi ka përmendur Majlinda Shabanin, këshilltaren e ministrit Armend Muja, si udhëheqëse të aksionit.
“Kjo është këshilltare e Armend Mujës – kjo ka hy në inspektim. Të gjithë inspektorët e AUV-it janë udhëheq nga Majlinda Shabani, e cila është këshilltare e Armend Mujës. Çfarë ekspertize ka kjo që të udhëheq inspektimin?”, pyeti ai.
“Natyrisht, ata që janë ekspertë në AVUK e kanë të drejtën ligjore të bëjnë inspektimin, por jo militantët”.
Ai ka përmendur edhe Fitim Gashin, një aktivist të Vetëvendosjes nga Kaçaniku dhe Elma Gashin, tjetër aktiviste të Vetëvendosjes, të cilët morën pjesë në inspektim në Qumështoren Vita.
“Tash, çkado që del në këtë proces, prodhuesi e ka të drejtën e botës që të ketë dyshime dhe ta kontestojë sepse është një operacion shumë i madh. Prandaj, meqë qeveria po pretendon se po rrezikohet shëndeti publik, atëherë Prokuroria duhet të zhvillojë hetime për të konstatuar nëse po rrezikohet shëndeti publik. Në rast se Prokuroria e konstaton këtë, atëherë duhet të ndiqen procedura penale. Nëse konstatohet e kundërta, këta njerëz duhet të përndiqen penalisht për shkak të shpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë Kajtazi.






