Pjesa e gjashtë e fejtonit analitik “ Anatomia e një sitemi arsimor në degradim”
“Jo gjithçka që mund të numërohet ka vlerë, dhe jo gjithçka që ka vlerë mund të numërohet.”
— Albert Einstein—
Shkruan: Burim Gjaka
Çdo fundvit shkollor, mijëra nxënës në Kosovë ulen përballë Testit të Arritshmërisë ose Provimit të Maturës Shtetërore. Për ta, është një nga momentet më të rëndësishme të jetës shkollore. Për prindërit, një periudhë ankthi dhe pritjeje. Për institucionet, një mekanizëm për të matur rezultatet e sistemit arsimor.
Por ekziston një pyetje që rrallë shtrohet me seriozitet:
A po matim dijen e nxënësit, apo po masim aftësinë e vetë sistemit për ta përgatitur atë?
Në administrimin modern ekziston një parim i njohur i cilësisë: çdo sistem prodhon rezultatet që është projektuar të prodhojë. Kur rezultatet përsëriten vit pas viti, ato nuk flasin vetëm për performancën e individëve; ato flasin edhe për funksionimin e vetë sistemit. Në këtë kuptim, testet kombëtare nuk janë vetëm provime për nxënësit. Ato janë edhe një pasqyrë e politikave arsimore, e cilësisë së mësimdhënies, e menaxhimit të shkollave dhe e efektivitetit të institucioneve përgjegjëse.
Në teori, testet kombëtare kanë një mision të qartë: të ofrojnë një standard të përbashkët vlerësimi, të evidentojnë nivelin e arritjeve të nxënësve dhe t’u japin institucioneve të dhëna të besueshme për të përmirësuar politikat arsimore. Ky është një qëllim i drejtë dhe i domosdoshëm. Asnjë sistem serioz nuk mund të përmirësohet pa e matur veten. Por matja është e drejtë vetëm atëherë kur edhe kushtet janë të drejta. Dhe pikërisht këtu fillon dilema.
Nxënësit në Kosovë nuk mësojnë gjithmonë në të njëjtat kushte. Ata nuk kanë të njëjtët laboratorë, të njëjtat biblioteka, të njëjtën qasje në teknologji, të njëjtat mundësi për aktivitete jashtëshkollore apo të njëjtat kushte ekonomike dhe sociale. Megjithatë, në fund të ciklit arsimor, ata përballen me të njëjtin test.
Barazia në vlerësim është e drejtë vetëm kur paraprihet nga barazia në mundësi. Përndryshe, testi nuk mat vetëm dijen e nxënësit; ai pasqyron edhe pabarazitë që e kanë shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit të tij shkollor.
Një tjetër sfidë lidhet me integritetin e procesit të testimit. Çdo vit, opinioni publik përballet me raportime për raste kopjimi, shpërndarje të pyetjeve apo parregullsi të tjera që cenojnë besueshmërinë e procesit. Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për ta administruar testimin sipas standardeve profesionale, mjafton edhe një numër i vogël shkeljesh për të dëmtuar besimin e qytetarëve.
Një element që diskutohet shumë më pak, por që ndikon drejtpërdrejt në drejtësinë e testimit, është mënyra e administrimit të provimit nga vetë administratorët. Në praktikë, jo të gjitha klasat administrohen me të njëjtin nivel rigoroziteti. Ka raste kur në disa klasa zbatohen me përpikëri të gjitha rregullat, ndërsa në të tjera tolerohen komunikimi mes nxënësve, përdorimi i mjeteve të palejuara apo forma të ndryshme të kopjimit.
Kjo krijon një paradoks të papranueshëm: një nxënës me përgatitje më të dobët mund të rezultojë më i suksesshëm se një nxënës i përgatitur mirë, jo për shkak të dijes, por për shkak të dallimeve në administrimin e testit. Në këto rrethana, rezultati nuk mat më vetëm njohuritë e nxënësit; ai mat edhe fatin se në cilën klasë dhe nën administrimin e kujt është zhvilluar provimi. Një sistem vlerësimi nuk mund të konsiderohet plotësisht i drejtë nëse standardet e administrimit nuk janë të njëjta për të gjithë. Përndryshe, testi nuk shpërblen vetëm dijen, por edhe rrethanat në të cilat është zhvilluar ai.
Një tjetër shqetësim serioz lidhet me rastet kur pyetjet e testit publikohen në rrjetet sociale vetëm pak minuta pas fillimit të provimit. Çdo vit shfaqen fotografi ose përmbajtje të testit në platforma të ndryshme, duke ngritur dyshime për sigurinë e procesit. Kjo nuk është thjesht një shkelje disiplinore; është cenim i integritetit të një procesi shtetëror. Prandaj lind natyrshëm pyetja: kush mban përgjegjësi institucionale kur ndodhin këto raste? Pse deri më sot nuk kemi parë raste të qarta të përgjegjësisë institucionale dhe llogaridhënies për incidente të tilla?
Po aq problematike janë edhe rastet kur në vetë testet evidentohen gabime në formulimin e pyetjeve, në alternativat e përgjigjeve apo në çelësin e vlerësimit. Edhe kur këto korrigjohen më vonë, ato krijojnë pasiguri dhe ndikojnë në besimin e nxënësve dhe prindërve. Në një proces kaq të rëndësishëm, çdo gabim teknik duhet të pasohet me analizë profesionale, transparencë dhe përgjegjësi institucionale. Kur gabimet burojnë nga vetë testi, është e padrejtë që pasojat t’i bartë nxënësi. Përgjegjësia duhet të jetë gjithmonë institucionale.
Nëse teknologjia përdoret për organizimin e testimit, ajo duhet të përdoret edhe për mbrojtjen e integritetit të tij. Sot ekzistojnë zgjidhje të shumta që mund të reduktojnë ndjeshëm mundësinë e keqpërdorimeve, si kontrolli elektronik në hyrje të objekteve shkollore, detektorët për pajisje elektronike, monitorimi më efektiv apo masa të përkohshme teknike për kufizimin e komunikimeve elektronike në hapësirat ku zhvillohet testimi. Çdo masë duhet të respektojë legjislacionin dhe të drejtat e qytetarëve, por është e arsyeshme të shtrohet pyetja nëse janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që teknologjia ofron për ta bërë procesin më të sigurt dhe më të besueshëm.
Në arsim, besimi është po aq i rëndësishëm sa rezultati. Një test që perceptohet si i padrejtë humbet autoritetin e tij, edhe nëse është ndërtuar mbi kritere profesionale. Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si interpretohen rezultatet. Shpesh, debati publik përqendrohet te nota mesatare ose te përqindja e kalueshmërisë. Por këto janë vetëm tregues statistikë.
Pyetja më e rëndësishme është:
Çfarë po na tregojnë këto rezultate për vetë sistemin arsimor?
Ekziston edhe një rrezik tjetër që shoqëron testimet standarde: kur testi shndërrohet në qëllim dhe jo në mjet. Në këto raste, procesi mësimor fillon të orientohet drejt përgatitjes për provim dhe jo drejt zhvillimit të kompetencave të qëndrueshme. Nxënësit mësojnë të japin përgjigjen e saktë, por jo domosdoshmërisht të kuptojnë, të analizojnë apo të zbatojnë dijen në situata të reja. Një sistem cilësor nuk ndërtohet mbi kulturën e “mësimit për test”, por mbi kulturën e të nxënit gjatë gjithë jetës.
Nëse një numër i madh nxënësish hasin vështirësi në lexim, matematikë apo shkenca, problemi nuk mund të reduktohet vetëm te nxënësi. Duhet të analizohen programet mësimore. Duhet të analizohet cilësia e teksteve shkollore. Duhet të analizohet mënyra e mësimdhënies. Duhet të analizohet zhvillimi profesional i mësimdhënësve. Duhet të analizohet menaxhimi i shkollave dhe mbështetja që institucionet u ofrojnë atyre.
Rezultati i një testi është fotografia e fundit e një procesi që ka zgjatur për vite të tëra. Prandaj, nuk është e drejtë që e gjithë barra e përgjegjësisë të vendoset mbi supet e një pesëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetëvjeçari. Nëse sistemi nuk ka arritur ta mbështesë gjatë gjithë rrugëtimit të tij arsimor, një provim nuk mund ta korrigjojë atë mungesë. Ai vetëm e bën atë më të dukshme.
Përvoja ndërkombëtare tregon se testet kombëtare japin rezultatet më të mira kur përdoren si instrument për përmirësim dhe jo vetëm si mekanizëm klasifikimi. Në vendet me sisteme të zhvilluara arsimore, rezultatet analizohen në mënyrë të detajuar sipas rajoneve, shkollave, profileve dhe fushave të të nxënit. Ato shërbejnë për të identifikuar dobësitë, për të planifikuar mbështetje shtesë dhe për të orientuar investimet aty ku nevoja është më e madhe.
Vetëm atëherë testi fiton kuptimin e tij të plotë.
Në një kohë kur teknologjia po transformon arsimin në mbarë botën, edhe Kosova duhet të mendojë seriozisht për modernizimin e sistemit të vlerësimit. Digjitalizimi i testimit, përdorimi i bankave të sigurta të pyetjeve, analizat automatike të rezultateve dhe mekanizmat më të avancuar për ruajtjen e integritetit do ta bënin procesin më transparent dhe më të besueshëm.
Megjithatë, teknologjia nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë. Nëse sistemi mbetet i pabarabartë, edhe testi më modern do të vazhdojë të pasqyrojë të njëjtat pabarazi.
Sepse testet nuk krijojnë cilësi. Ato vetëm e zbulojnë atë. Dhe ndonjëherë zbulojnë edhe problemet që për vite me radhë kemi zgjedhur të mos i shohim.
Në fund, duhet ta pranojmë një të vërtetë të thjeshtë: asnjë test nuk mund ta bëjë një sistem më të mirë. Por një sistem më i mirë mund ta bëjë çdo test më të drejtë. Ky është dallimi që duhet ta kuptojmë.
Sepse sfida jonë nuk është të prodhojmë nota më të larta apo statistika më të mira. Sfida jonë është të ndërtojmë një sistem arsimor që prodhon dije të qëndrueshme, integritet, mendim kritik dhe qytetarë të përgjegjshëm.
Në fund të fundit, testet nuk janë pasqyra e së ardhmes së nxënësve. Ato janë pasqyra e vendimeve që ne, si shoqëri, kemi marrë për arsimin e tyre.
______________________________
Në pjesën e shtatë do të kalojmë nga diagnoza te zgjidhjet. Do të paraqesim njëzet rekomandime konkrete, të mbështetura në parimet e qeverisjes së mirë, përvojat ndërkombëtare dhe realitetin e arsimit në Kosovë, si një kontribut për debat publik dhe reforma të qëndrueshme. Sepse çdo kritikë ka vlerë vetëm kur shoqërohet me alternativa të realizueshme.
(Vijon…)







