Ky artikull lexohet për 2 min•
ose dëgjoje me zëDataland, galeria e re në qendër të Los Anxhelosit, i hapi dyert për publikun më 20 qershor. E themeluar nga artisti Refik Anadol dhe partnerja e tij, Efsun Erkılıç, galeria prezantohet si muzeu i parë në botë i dedikuar artit të inteligjencës artificiale (AI). Sipas Anadolit, në dy javët e para të hapjes, ekspozita priti më shumë se 10,000 vizitorë.
Përmes ekraneve digjitale interaktive, instalimi reagon ndaj lëvizjeve dhe të dhënave biometrike të vizitorëve, të cilat gjurmohen përmes pajisjeve të veshura. Pamjet dhe skenat zanore gjenerohen nga “Large Nature Model”, një sistem AI i ndërtuar duke përdorur arkiva të shkencave natyrore dhe të dhëna të mbledhura nga vetë ekipi i Anadolit në pyjet tropikale.
Përmes bashkëpunimit me Google DeepMind, galeria përdor burime “low-energy” në Google Cloud për të siguruar një proces pune të qëndrueshëm. Artisti vë në dukje se të dhënat e përdorura janë mbledhur me pëlqimin e studiuesve, duke u distancuar nga praktikat e kompanive të mëdha të teknologjisë që janë përballur me kritika për përdorimin e paautorizuar të përmbajtjes.
Vizitorët pajisen me një orë inteligjente dhe një mbajtëse plastike për supet, të cilat kalibrohen për të ofruar përvoja shqisore, siç janë aromat e pyllit apo efekte vizuale që ndjekin lëvizjet e tyre në hapësirë. Përdorimi i këtyre biosensorëve është opsional, ndërsa të dhënat e mbledhura fshihen nga sistemi sapo vizitori largohet nga galeria.
Përmes hapësirave si “Latent Gallery” dhe “Sanctuary”, Anadol synon të demistifikojë algoritmet dhe të eksplorojë mundësitë e reja të artit. Ai shprehet se qëllimi i Dataland është të tregojë se inteligjenca artificiale mund të shërbejë si një mjet për të kuptuar më mirë përvojën njerëzore, duke e trajtuar emocionin si një input për krijimin artistik.
Burimi: wired.com







