Bordi i RTK-së kalon kandidaturën e bashkëshortes së Fatmir Spahiut, ndonëse nuk i plotëson kushtet për drejtore gjenerale

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës synon ta bëjë drejtoreshë gjenerale Zana Spahiun, bashkëshorten e ish të propozuarit për ministër të Kulturës nga Lëvizja Vetëvendosje vitin e kaluar, aktorit Fatmir Spahiu, ndonëse nuk i plotëson kushtet ligjore.

Të mërkurën, Bordi i RTK-së i ka shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve për pozitën e drejtorit gjeneral.

Gjashtë kandidatë janë kualifikuar për intervisitim.

Ky organ përgjegjës për përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së, e ka pranuar edhe aplikacionin e Zana Spahiut, ndonëse, ajo nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në konkursin e shpallur më 19 qershor të këtij viti.

Sipas konkursit, kandidatët duhet të kenë së paku tetë vjet përvojë pune profesionale, prej të cilave pesë vjet përvojë menaxheriale në media ose në fusha të tjera relevante.

Ky kriter është i vendosur në pikën 5.5 të konkursit.

Të njëjtin kriter nuk e ka plotësuar kandidatja Zana Spahiu, ka mësuar Paparaci nga burime brenda RTK-së. Spahiu, pranë bordit ka arritur të dëshmojë vetëm 3 vjet e 11 muaj përvojë menaxheriale, për periudhën nga 17 maji 2022 deri më 6 maj 2026.

Por, për pjesën tjetër të viteve të nevojshme, bordi ka marrë parasysh edhe pozitën e saj si Zyrtare e Lartë në Zyrën Ligjore.

Megjithatë, burimet i kanë thënë Paparacit se kjo pozitë nuk mund të konsiderohet pozitë menaxheriale dhe, rrjedhimisht, nuk e përmbush kriterin e pesë viteve përvojë në menaxhim.

Konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së kërkon gjithashtu që kandidati të ketë diplomë universitare, të mos jetë i dënuar apo nën hetime penale, të mos mbajë funksione publike ose partiake dhe të dorëzojë një koncept strategjik për zhvillimin e RTK-së gjatë mandatit trevjeçar.

Pesë kandidatët e tjerë të kualifikuar për intervistim për pozitën e drejtorit gjeneral janë: Lorik Arifaj, Antigonë Baxhaku, Hysen Hundozi, Arbër Geci dhe Nexhmedin Spahiu.

Fatmir Spahiu, bashkëshorti i Zana Spahiut, nuk kishte arritur të merrte pozitën e ministrit të Turizmot dhe Kulturës edhe pse ishte propozuar nga Albin Kurti për këtë post pasi kabineti i propozuar kishte dështuar të merrte votat e nevojshme në Kuvend.