Azemi i LDK-së: Kurti s’ka bërë përpjekje serioze për marrëveshje politike

Visar Azemi, tha se LDK-ja është e gatshme për takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për një marrëveshje politike. Sipas tij, një marrëveshje politike do të nënkuptonte krijimin e institucioneve stabile, e jo vetëm sigurimin e numrave në Kuvend për kalimin e hapave të parë drejt konstituimit të tij.

Në një përgjigje për RTV21, Azemi tha se Kurti ende nuk ka bërë një përpjekje serioze për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Kosova ka humbur shumë nga bllokadat politike. Qytetarët presin që së shpejti të kemi institucione të reja. Askush nuk ka interes që vendi të hyjë në një cikël të ri bllokadash e më pas të përfundojë në zgjedhje të reja. Por, deri më tash nuk kam parë një përpjekje serioze të zotit Kurti për një marrëveshje politike. Këto përpjekje serioze nuk bëhen vetëm përmes deklaratave publike, por kërkojnë takime dhe dialog të drejtpërdrejtë me partitë politike, oferta konkrete dhe, mbi të gjitha, gatishmëri për kompromis për t’i ndërtuar institucionet. Si parti e parë, ata e kanë përgjegjësinë kryesore për ta ndërtuar shumicën dhe për të krijuar një klimë bashkëpunimi mes partive politike, nëse ka vullnet real për marrëveshje. Këtë vullnet duhet ta shohim me veprime konkrete. LDK-ja gjithmonë është sjellë me përgjegjësi dhe ka pasur në qendër të vëmendjes interesin e vendit, por përgjegjësia nuk nënkupton që të shërbejë si zgjidhje për problemet e të tjerëve. Çdo bisedë serioze duhet të jetë e hapur, e sinqertë dhe e bazuar në një marrëveshje politike që i jep vendit stabilitet, e jo vetëm një zgjidhje të përkohshme për numrat në Kuvend.Për marrëveshje, po. Kjo marrëveshje politike nënkupton stabilitet institucional, e jo vetëm numra për t’i kaluar hapat e parë të konstituimit të Kuvendit.” tha ai.