Lidhja e Bizneseve: Kontrollet për sigurinë ushqimore të bazohen në fakte

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar lidhur me kontrollet e fundit për sigurinë ushqimore, duke kërkuar që veprimet e institucioneve përgjegjëse të jenë profesionale, proporcionale dhe të bazuara në fakte shkencore.

Në një komunikatë për media, organizata thekson se mbështet ushtrimin e kompetencave ligjore nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore, por njëkohësisht kërkon respektimin e standardeve profesionale gjatë kryerjes së inspektimeve.

“Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbështet pa rezervë ushtrimin e kompetencave ligjore nga institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore. Kontrollet inspektuese janë të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit publik, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe forcimin e besimit të konsumatorëve”, thuhet në reagim.

Sipas Lidhjes së Bizneseve, rezultatet laboratorike të analizave të kryera gjatë muajve prill dhe maj konfirmojnë se produktet e qumështores Vita janë në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore, ndërsa analizat e mostrave të marra më 2 korrik janë ende në proces.

“Deri në përfundimin e këtij procesi, çdo vlerësim publik duhet të mbështetet ekskluzivisht në rezultate zyrtare dhe jo në perceptime apo konkluzione të parakohshme,” theksohet në komunikatë.

Organizata shpreh shqetësim edhe për mënyrën se si është organizuar inspektimi në objektet e kompanisë, duke vlerësuar se ai ka krijuar perceptimin e një situate emergjente pa pasur ende një konfirmim përfundimtar nga analizat.

“Mënyra e organizimit dhe prezantimit publik të inspektimit në objektet e kompanisë ngriti shqetësime të arsyeshme lidhur me proporcionalitetin e veprimit institucional,” thuhet në reagim.

Më tej, Lidhja e Bizneseve paralajmëron se veprime të tilla mund të kenë pasoja për bizneset dhe klimën e investimeve.

“Veprime të tilla, edhe kur ndërmerren me qëllim të ushtrimit të kompetencave ligjore, duhet të jenë të balancuara dhe të kujdesshme, pasi mund të ndikojnë drejtpërdrejt në reputacionin e bizneseve, në besimin e konsumatorëve, në pozitën e prodhuesve vendorë në treg dhe në klimën e përgjithshme të investimeve”, thuhet në komunikatë.

Në fund, Lidhja e Bizneseve rithekson mbështetjen për prodhuesit vendorë dhe kërkon që kontrollet institucionale të vazhdojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

“Shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë prioritet absolut dhe institucionet përgjegjëse duhet të vazhdojnë ushtrimin e kontrolleve të rregullta, profesionale, transparente dhe të paanshme”, përfundon reagimi.