As Ancelotti nuk i bën dot derman këtij Brazili. Norvegjia eliminon 5 herë kampionët e botës dhe shkruan historinë (video)

Norvegjia është ekipi i tretë çerekfinalist në këtë Kupë Bote. Nordikët fituan 0-2 ndaj Brazilit në sfidën e luajtur në “MetLife Stadium”.

Në minutën e 10-të, Matheus Cunha pengohet në zonë nga qendërmbrojtësi nordik, Kristoffer Ajer. Ndërhyn VAR, arbitri sheh pamjet në ekran dhe tregon gishtin nga pika e bardhë e penalltisë.

Topin e kishte në duar Vinicius Junior, por në fund ia jep Bruno Guimaraes, goditja e të cilit ndalet nga portieri i Norvegjisë, Nyland. Një ekzekutim shumë i dobët nga mesfushori brazilian.

Në minutat shtesë, Martin Odegaard kishte një shans të artë për të shënuar, por goditja e mesfushorit norvegjez ndalet pa problem nga Alisson Becker. Pjesa e parë mbyllet 0-0.

Në minutën e 59-të, i sapo futuri në fushë, Endrick, kishte një shans të artë për të shënuar, pas një pasimi mjeshtëror të Vinicius Junior, por goditja e tij shkon ngjitur me shtyllën e majtë. Në minutën e 62-të, tjetër mundësi e mirë për Brazilin, por goditja e Rayan, ndalet sërish nga Nyland.

Sfida u zhbllokua në minutën e 80-të, ku i zakonshmi Erling Haaland fiton duelin me Gabriel dhe shënon me kokë, pas një krosimi perfekt të Andreas Schjelderup.

Në minutën e 85, Nyland bëhet sërish shpëtimtar për nordikët, duke devijuar në momentin e fundit një top të kthyer mbrapsht, që përplaset në shtyllën e majtë.

Në minutën e 90-të, Haaland vulos fitoren, duke shënuar golin e dytë me një goditje të fuqishme me të majtën, në kufijtë e zonës së rreptësisë. Sërish asist i Andreas Schjelderup.

Norvegjia fiton 0-2 dhe shkon për herë të parë në histori në çerekfinalen e Kupës së Botës. Brazili zhgënjen sërish dhe e mbyll këtu rrugëtimin në Botëror.

SHIKOGOLAT

The post As Ancelotti nuk i bën dot derman këtij Brazili. Norvegjia eliminon 5 herë kampionët e botës dhe shkruan historinë (video) appeared first on Telesport.