Situata me qumështoren VITA, Shoqata e prodhuesve i drejtohet me një kërkesë Ministrisë, paralajmërojnë protesta

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur një takim urgjent me anëtarësinë, pas situatës së krijuar nga ndërprerja e grumbullimit të qumështit të freskët nga fermat e tyre prej qumështores VITA.

Sipas njoftimit të shoqatës, kërkesa kryesore e fermerëve ishte zhvillimi i menjëhershëm i një takimi me përfaqësuesit e qumështores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje dhe të rifillojë sa më shpejt grumbullimi i qumështit.

Shoqata bën të ditur se, sipas VITA-s, rifillimi i grumbullimit varet nga publikimi sa më i shpejtë i rezultateve të mostrave të marra nga autoritetet kompetente.

Për këtë arsye, fermerët u kanë bërë thirrje urgjente Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që të përshpejtojnë procedimin e rezultateve laboratorike, në mënyrë që qumështi i freskët të mund të dorëzohet pa vonesa.

Ata paralajmërojnë se çdo zvarritje e mëtejshme rrezikon të shkaktojë humbje të konsiderueshme për fermerët, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vend.
“Në të kundërtën, nuk mund t’i shmangim protestat eventuale të fermerëve”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.

Reagimi vjen në kohën kur ndërprerja e grumbullimit të qumështit nga VITA ka shkaktuar shqetësim të madh te prodhuesit vendorë, të cilët thonë se po përballen me rrezikun e hedhjes së sasive të mëdha të qumështit dhe me dëme të rënda ekonomike.