Granit Xhaka prej kohësh e ka fituar statusin e legjendës së kombëtares së Zvicrës. Që nga debutimi i tij pak më shumë se 15 vite më parë, ish-lojtari i akademisë së FC Basel është shndërruar në një lider, i cili edhe në moshën 33-vjeçare vazhdon të jetë pjesë e elitës botërore në pozicionin e tij.

Në kombëtare, ai u bë shpejt një shtyllë qendrore, i pazëvendësueshëm fillimisht për Ottmar Hitzfeld dhe Vladimir Petković, ndërsa tani edhe për Murat Yakin. Gjatë këtyre viteve ai ka grumbulluar 150 ndeshje me kombëtaren, ndërsa në fazën e 1/16-ave, kundër Algjerisë, e festoi me fitore jubileun.

Xhaka hyn kësisoji në mesin e 10 futbollistëve aktivë me më shumë ndeshje ndërkombëtare. Sa e madhe është kjo arritje, tregohet jo vetëm nga historia e futbollit zviceran, ku askush nuk ka zhvilluar më shumë ndeshje se Xhaka. Edhe në krahasimin ndërkombëtar, ky numër është vërtet mbresëlënës. Mes futbollistëve ende aktivë, vetëm 10 lojtarë të tjerë kanë zhvilluar 150 ose më shumë ndeshje me kombëtaren.

1.Cristiano Ronaldo (Portugalia): 232 ndeshje
2.Lionel Messi (Argjentina): 202 ndeshje
3.Luka Modrić (Kroacia): 202 ndeshje
4.Hassan Al-Haydos (Katari): 172 ndeshje
5.Robert Lewandowski (Polonia): 167 ndeshje
6.Aníbal Godoy (Panamaja): 158 ndeshje
7.Ivan Perišić (Kroacia): 158 ndeshje
8.Guillermo Ochoa (Meksika): 154 ndeshje
9.Christian Eriksen (Danimarka)
10.Edin Džeko (Bosnjë-Hercegovina): 151 ndeshje
11.Granit Xhaka (Zvicra): 150 ndeshje

Nëse shikohet historia e futbollit botëror për lojtarët me më shumë ndeshje për kombëtaret e tyre, Xhaka renditet aktualisht në vendin e 47-të. Pas ndeshjes së të premtes në mëngjes, ai ngjitet një vend më lart dhe do ta ndajë këtë pozicion me emra të mëdhenj të futbollit si Claudio Bravo (Kili), Joel Campbell (Kosta Rika) dhe Lothar Matthäus (Gjermania).

Me shumë gjasa, Xhaka nuk do t’i arrijë më sukseset e rekordmenit gjerman (kampion i Europës në vitin 1980, kampion bote në vitin 1990 dhe futbollisti më i mirë në botë në vitin 1991). Megjithatë, shpresohet që ai ta kalojë Matthäusin që gjatë këtij Botërori për sa i përket numrit të ndeshjeve me kombëtaren.
The post Granit Xhaka, kapiteni i Zvicrës, hyn në sallonin e rekordeve ndërkombëtare appeared first on Telesport.








