Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë pjesë e një ushtrimi të madh ndërkombëtar ushtarak të zhvilluar në Kroaci, ku krahas mijëra ushtarëve kroatë dhe pjesëtarëve të vendeve aleate të NATO-s, vendi ynë u përfaqësua me një kontingjent prej 45 ushtarakësh.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili mori pjesë në aktivitet me ftesë të autoriteteve kroate, tha se pati mundësinë ta ndjekë nga afër ushtrimin dhe vlerësoi lart performancën e pjesëtarëve të FSK-së.
Sipas tij, Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga një tog luftarak i këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë.
“Jam veçanërisht krenar që Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 45 ushtarakë, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë. Gjatë gjithë stërvitjes, pjesëtarët tanë dëshmuan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë, duke konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere”, ka shkruar Maqedonci.
Ai theksoi se pjesëmarrja në ushtrime të tilla ndërkombëtare është dëshmi e zhvillimit të vazhdueshëm të FSK-së dhe e gatishmërisë së saj për të kontribuar në misione dhe aktivitete të përbashkëta me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.








