Mes debatit të brendshëm pas zgjedhjeve parlamentare, shumica dërrmuese e degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dalë në mbështetje të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Nga gjithsej 36 degë, 33 kanë shprehur mbështetje për Abdixhikun, ndërsa tri degë janë deklaruar kundër mënyrës së udhëheqjes dhe kanë kërkuar përgjegjësi politike.
Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka rikonfirmuar mbështetjen për kryetarin dhe Kryesinë e partisë, duke theksuar përkushtimin për stabilitetin institucional të vendit dhe ndërtimin e institucioneve funksionale, ndërsa ka bërë të ditur se zgjedhjet e rregullta të brendshme do të mbahen gjatë vitit 2027, sipas afateve statutore.
Në deklaratën e miratuar pas mbledhjes së mbajtur në selinë qendrore të LDK-së, Kolegjiumi tha se ka shqyrtuar zhvillimet politike në vend, rezultatin zgjedhor, gjendjen institucionale dhe angazhimin e partisë në periudhën pas zgjedhjeve.
Kolegjiumi vlerësoi punën e strukturave të LDK-së gjatë procesit zgjedhor, duke kërkuar një analizë të detajuar të rezultatit.
“Kolegjiumi vlerëson lart angazhimin dhe punën e të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga zgjedhjet paraprake, LDK arriti rritje të mbështetjes qytetare. Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, organi i degëve ka shprehur mbështetje të plotë për lidershipin aktual të partisë.
“Kolegjiumi rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit”, theksohet në deklaratë.
LDK-ja ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues.
“Rikonfirmojmë përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar”, thuhet më tej.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme, Kolegjiumi ka bërë të ditur se proceset organizative do të zhvillohen sipas Statutit të partisë dhe se zgjedhjet e reja për strukturat drejtuese nuk do të mbahen para afatit të rregullt.
“Çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore”, thuhet në deklaratë.
Kolegjiumi u ka bërë thirrje të gjitha strukturave dhe anëtarëve të LDK-së që të përqendrohen në forcimin e partisë dhe ruajtjen e unitetit.
“Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thotë deklarata.








