Mbrëmjen e 27 qershorit, në kuadër të Festivalit prestigjioz Choral Space, Kori i Fëmijëve “Okarina” ka performuar në skenën e njohur të Filharmonisë së Berlinit, duke sjellë një interpretim të veçantë artistik me një vepër në premierë absolute të kompozitorit Aulon Naci.
Vepra e prezantuar i kushtohej natyrës dhe rrjedhës së lirë të lumenjve, me theks të veçantë tek lumi Vjosa, i njohur si lumi i fundit i egër në Evropë.
Një nga momentet më të veçanta të performancës ishte interpretimi artistik i tingullit të gurëve të lumit, ku koristët përdorën gurë të vërtetë për të krijuar një efekt zanor që solli atmosferën e brigjeve të Vjosës në sallën e koncertit në Berlin.
Performanca u shoqërua në piano nga pianistja Pranvera Hoxha, ndërsa dirigjimi u realizua nga Elikona Hysaj Shala. Sipas organizatorëve, çdo element i veprës u shndërrua në një përjetim emocional për publikun.
Kjo premierë u vlerësua si një moment i rëndësishëm për korin dhe për prezantimin e kulturës dhe muzikës shqiptare në një nga skenat më prestigjioze evropiane.








