Pas rreth tetë orësh operacion intensiv kërkim-shpëtimi, është bërë e mundur nxjerrja e sigurt nga Kanionet e Gjipesë e katër turistëve polakë që kishin mbetur të bllokuar.
Në operacion u angazhuan efektivë të Stacionit të Policisë Dhërmi, alpinistë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Njësia “Delta”, zjarrfikësit e Himarës, si dhe ekipi mjekësor.
Sipas autoriteteve, dy nga turistët u evakuuan fillimisht me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa rreth orës 23:00 u nxorën edhe dy të tjerët, shkruan abcnewsal.
Njëri prej tyre kishte pësuar lëndime dhe mori ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje.
Autoritetet u kanë bërë thirrje turistëve që të shmangin lëvizjet në shtigje të vështira pa guida të specializuara dhe pa pajisjet e nevojshme, me qëllim parandalimin e situatave të ngjashme.








