Barazim duhej dhe barazim përfundoi, por Ralf Rangnick mohon kategorikisht aludimet se rezultati 3-3 mes Austrisë dhe Algjerisë ishte i paracaktuar për t’i kualifikuar të dyja ekipet. “Në një ndeshje që përfundon 3-3, askush nuk mund të mendojë se ka pasur marrëveshje, sidomos duke parë çfarë ndodhi në 90 sekondat e fundit”, – deklaroi trajneri 67-vjeçar pas sfidës në “Arrowhead Stadium” të Kansas City.
Austria kaloi dy herë në avantazh me Arnautovic dhe Sabitzer, por Algjeria u kundërpërgjigj me golat e Rafik Belghali dhe Mahrez, përpara një fundi dramatik. “Po të kishte parashikuar dikush një fund të tillë tre minuta para mbylljes, do ta kishit quajtur të çmendur. Kam rreth 40 vite si trajner dhe nuk mbaj mend një ndeshje me kaq shumë kthesa”, – tha Rangnick.
Ai shtoi: “Të gjithë prisnin një 0-0 ose 1-1, por përfundoi 3-3. Nëse Alfred Hitchcock do ta kishte shkruar një histori të tillë, do të thoja se ishte pa tru”. Edhe trajneri i Algjerisë, Vladimir Petković, theksoi: “Jam shumë i lumtur që në fund fitoi futbolli dhe sporti. Rezultati 3-3 flet vetë”. Ai iu referua edhe “Turpit të Gijónit” të vitit 1982, kur Gjermania Perëndimore dhe Austria u akuzuan për një rezultat të paracaktuar që eliminoi Algjerinë.
The post Rangnick hedh poshtë akuzat: Marrëveshje mes Austrisë dhe Algjerisë? Më thoni si organizohet një 3-3 appeared first on Telesport.








