Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatet e fundit politike dhe interesimin e publikut për qëndrimet e partisë pas zgjedhjeve.
Haziri ka theksuar se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar dhe se nominimi i presidentes Vjosa Osmani mbetet i vetmi emër i propozuar nga radhët e kësaj partie për postin e presidentit.
Ai ka sqaruar se, në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së ka paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm politik, me qëllim krijimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend.
Sipas Hazirit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në periudhën e ardhshme, ndërsa të gjitha kërkesat politike do të trajtohen brenda strukturave legale të partisë.
Në postimin e tij, Haziri ka theksuar se demokracia është e barasvlershme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke shtuar se kauza “një parti, një shtet” është, sipas tij, një kauzë e humbur.
“Askush mbi Republikën”, ka përfunduar Haziri në reagimin e tij.








