Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK që çoi në goditjen e organizatës kriminale të drejtuar nga Salvatore (Shpëtim) Aliu, grup i cili sipas hetimeve ishte pjesë e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike qw furnizonte me kokainw grupet kriminale të drejtuara me Sokol Bibajn, Eldi Dizdarin dhe Armando Pacanin, ndërsa komunikimet e përgjuara zbulojnë edhe fitimet e mëdha që siguroheshin nga aktiviteti kriminal.
Në një bisedë të datës 14 shtator 2020, e administruar si provë nga hetuesit, Salvatore Aliu komunikon me vëllain e tij Isa Aliu përmes aplikacionit të koduar.
Sipas dosjes, në orën 00:57:06, përdoruesi i PIN-it “RG1C1D”, i identifikuar si Salvatore Aliu, i shkruan përdoruesit të PIN-it “L4O0JU”:
“Po lodheshe pakë shumë”,
“Duke numëru”,
“Po mos u mërzit”,
“S’ke çare bën”.
Në orën 00:57:51, përdoruesi i PIN-it “L4O0JU”, që sipas hetuesve është Isa Aliu, i përgjigjet:
“Po këtu të jetë e keqja ime, po s’mërzitem unë”.
Vetëm pak sekonda më pas, Salvatore Aliu vijon:
“Po të kishin bë nga një vlla tjetër, alo asë këtë gja s’do të leja ta bëje”,
“Nëse ishalla kështu të mallkofsha si sonte”,
“Mos pushofshe kurrë ishalla duke numëru lek”.
Sipas hetuesve, referenca për “numërimin e lekëve” lidhet me të ardhurat e konsiderueshme që grupi siguronte nga trafiku i lëndëve narkotike, aktivitet që sipas SPAK zhvillohej në kuadër të organizatës kriminale të Dritan Gjikës.
Biseda vijon në orën 00:59:37, kur Isa Aliu i shkruan vëllait:
“Natën zemër, plaka ka fillu të tremet”.
Ndërsa Salvatore Aliu i përgjigjet menjëherë:
“Pse?”,
“Për çarë?”,
“Çarë ka?”.
Këto komunikime janë pjesë e provave të administruara nga SPAK në hetimin ndaj grupit kriminal, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe furnizim të rrjeteve të ndryshme kriminale. Sipas hetimeve, organizata e drejtuar nga Dritan Gjika shtrihej në disa vende dhe përdorte bashkëpunëtorë të ndryshëm për transportimin, shpërndarjen dhe menaxhimin e fitimeve të krijuara nga trafiku i kokainës.
Bisedat e përgjuara mes Salvatore Aliut dhe vëllait të tij konsiderohen nga hetuesit si një tregues i qartë i fitimeve të mëdha që gjeneronte aktiviteti kriminal, ku vetë protagonistët flasin me humor për lodhjen që u shkaktonte “numërimi i lekëve”.





