Një person bie nga shtylla elektrike në Klinë, dërgohet në spital

Një person ka pësuar lëndime trupore, pasi dyshohet se ka rënë nga një shtyllë elektrike në Klinë..

Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale në Pejë, Driton Rugova, i cili tha se fillimisht Policia është njoftuar nga QKMF-Klinë për një person të lënduar.

“Sot rreth orës 13:40, Policia është njoftuar nga QKMF-Klinë se një person është i lënduar. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Rugova.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes është kuptuar se personi i lënduar ka rënë nga një shtyllë elektrike.

“Atje është kuptuar se personi i lënduar ka rënë nga shtylla elektrike”, ka thënë ai.

Rugova bëri të ditur se i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

“I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor”, u shpreh ai.