Komuna e Prishtinës njofton punime për ndriçim të ri në rrugën “UÇK”, mbyllet përkohësisht shiriti i mesëm

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga 23 deri më 26 qershor do të zhvillohen punime për instalimin e elementeve të reja të ndriçimit publik në rrugën “UÇK”, me qëllim të përmirësimit të sigurisë dhe dukshmërisë për qytetarët.

Sipas njoftimit, gjatë realizimit të punimeve do të mbyllet përkohësisht shiriti i mesëm i rrugës, ndërsa qarkullimi i automjeteve do të vazhdojë nëpërmjet shiritave të tjerë.

“Në kuadër të përmirësimit të ndriçimit publik dhe rritjes së sigurisë për qytetarët, nga 23 deri më 26 qershor 2026, do të zhvillohen punime për instalimin e elementeve të reja të ndriçimit në rrugën ‘UÇK’ në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna ka bërë të ditur se kufizimet e përkohshme në trafik do të zbatohen në tri intervale kohore gjatë ditës: nga ora 08:00 deri në 11:00, nga ora 13:30 deri në 15:00 dhe nga ora 18:00 deri në 20:00.

“Gjatë zhvillimit të punimeve do të bëhet mbyllja e përkohshme e shiritit të mesëm rrugor, ndërsa qarkullimi i automjeteve do të vazhdojë përmes shiritave të tjerë”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas Komunës së Prishtinës, në zonën ku do të kryhen punimet do të vendoset sinjalizimi përkatës dhe do të ndërmerren masat e nevojshme për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.

“Në zonën e punimeve do të vendoset sinjalizimi i nevojshëm dhe do të ndërmerren të gjitha masat për sigurinë dhe menaxhimin e trafikut”, thuhet në njoftim.

Komuna ka theksuar se pas përfundimit të projektit, rruga “UÇK” do të ketë ndriçim më cilësor, duke ndikuar në rritjen e sigurisë gjatë orëve të mbrëmjes.

“Me përfundimin e punimeve, rruga ‘UÇK’ do të ketë ndriçim më të mirë, dukshmëri më të lartë dhe siguri më të madhe gjatë orëve të mbrëmjes”, thuhet në njoftim.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve për kujdes dhe mirëkuptim gjatë kohës së realizimit të punimeve.

“Lusim qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar dhe mirëkuptim”, thotë njoftimi i Komunës së Prishtinës.