Gërvalla u sulet partive të tjera: Mos vendosni kushte dhe mos dërgoni mesazhe përmes mediave

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përçuar mesazhe sot për partitë e tjera se si duhet të zhvillohen negociatat potenciale mes tyre dhe Vetëvendosjes për krijim institucionesh.

Fillimisht ajo u ankua se ato po diskutojnë paraprakisht “me mediat” dhe tha se “rendi” e kërkon ndryshe.

Gërvalla u duk se aludoi për deklaratat e bëra nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në Pressing të T7 ku shprehi gatishmërinë e partisë së tij për bashkëpunim, duke përmendur një “marrëveshje politike pako” me Lëvizjen Vetëvendosje dhe që bashkëpunimi “të normohet”.

“Ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa diskutuar paraprakisht me mediat. Rendi e kërkon që të diskutohet me njerëzit direkt në vend që t’i dërgohen mesazhe përmes mediave edhe ne këtë rend do ta respektojmë dhe me seriozitet maksimal do të angazhohemi”, tha Gërvalla në një deklarim për gazetarët sot.

E pyetur se partitë tjera e kanë kushtëzuar bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje me projektin e gazit amerikan, ndaj të cilit Qeveria në detyrë po heziton, Gërvalla tha se opozita s’duhet të vendosë kushte.

“Opozita do të bënte mirë të mos vendoste kushte sepse vendosja e kushteve janë parakusht shumë i keq për fillim negociatash.

Unë mendoj që qytetari i Republikës, ai është që vendos, e ka thënë fjalën e vet dhe do të duhej si politikanë të përgjegjshëm të vendit tonë të ulemi dhe të diskutojmë se cilët janë rrugët më të mira dhe pasi të diskutojmë natyrisht që do ta informojmë publikun, por hapat e parë bëhen në fillim dhe hapat informues bëhen më tej”, tha ajo.