Raporti vjetor i auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tashmë e shkrirë në dy dikastere, ka nxjerrë një mal me shkelje e parregullsi, veçanërisht në kontratat e lëshuara për projekte rrugore.
Dosja e tenderit për ndërtimin e rrugës rajonale R118, segmenti Mushtrisht – Shtërpcë, kontratë kjo që ishte lëshuar më 24 qershor 2025, në kohën kur Liburn Aliu ishte në krye të ministrisë, ka zbuluar se kompania fituese kishte ofertuar me çmime shumë të ulëta në disa pozicione të paramasës.
Dy rastet e evidentuara rezultojnë se bëhet fjalë për çmime vetëm nga 1 euro, ndërsa vlera e kontratës është 2 milionë e 970 mijë euro, raporton Klankosova.tv
Në të dhënat e raportit thuhet se:
“Konkretisht, janë ofruar çmime si në vijim:
Pozicioni 1.4 “Konstruksioni i trasës”, pika 1.4.1-furnizimi, bartja dhe shtrirja e rërës si mbrojtje e gjeotekstilit (t=5 cm/m3) me çmim 1€;
-Pozicioni 1.6 “Lëshesat rrethore”, pika 1.6.6-fi 600 me çmim 1€, fi 1000 me çmim 130€, si dhe dy fi 1000 me çmim 1€.”
Krejt kjo, ZKA ka konstatuar se ka ndodhur si rezultat i mangësive në kontrollet e brendshme dhe në zbatimin e kërkesave të legjislacionit për prokurimin publik nga ana e Ministrisë.
Rrjedhimisht, Ligji për prokurimin publik, te neni për tenderët jo normalisht të ulët, përcakton që nëse një operator ekonomik e dorëzon një tender që është ose duket të jetë jo-normalisht i ulët, autoriteti kontraktues, në këtë rast ministria, duhet të dërgojë një kërkesë me shkrim tenderuesit ku i kërkon që të dorëzojë një ndarje të elementeve përbërëse të tenderit dhe shpjegime në lidhje me bazën e tenderit.
Por, ministria që udhëhiqej nga Liburn Aliu, konkretisht komisioni i vlerësimit nuk ka kërkuar fare sqarim për këto çmime shumë të ulëta.
Për pasojë, Auditori ka raportuar se kjo situatë shkakton mosrealizim të kontratës dhe në cilësinë e punimeve dhe jo vetëm kaq, edhe në transparencë e konkurrencë të drejtë në prokurimin publik.








