Sulmuesi i Bregut të Fildishtë, Yan Diomande, i kushtoi motrës së ndjerë Roxane një letër emocionuese, ku rrëfen fëmijërinë e tyre të lumtur dhe rolin vendimtar që ajo pati në rrugëtimin e tij drejt futbollit. “Nuk e njihnim pasurinë apo varfërinë. Ne njihnim vetëm lumturinë”, – shkroi ai.
Diomande kujton se si Roxane e mbështeste gjithmonë, që kur ishte vetëm 10 vjeçe. “Ti ishe agjentja ime e parë”, – shkruan ai, duke kujtuar fanellën e rreme të Ronaldos, këpucët e para të futbollit dhe provat e shumta te Bournemouth, Chelsea, Rangers, Olympiacos e Crystal Palace.
Kur më në fund firmosi me Leganés, të dy shpërthyen në lot gëzimi. Por pak kohë më vonë, jeta e tij ndryshoi përgjithmonë. Me një telefonatë mësoi lajmin tragjik: “Motra jote nuk jeton më. Dikush i kishte hedhur diçka në pije gjatë një feste dhe ajo nuk u zgjua më”. Roxane ishte vetëm 15 vjeçe.

Pavarësisht dhimbjes, Diomande vazhdon ta mbajë motrën pranë në çdo sukses. Pas debutimit ndaj Real Madridit, ai ndërroi fanellën me Kylian Mbappé, duke kujtuar fjalët e saj: “Mbappé është i mirë, por vëllai im është më i mirë.”
Në fund të letrës, ai i bën një premtim prekës: “Ti gjithmonë thoje se mund të bëhesha më i mirë se Cristiano. Nëse do ta takoj në Botëror, do ta përshëndes për ty. Do ta bëj realitet atë që ti parashikove. Do të të tregoj se kishe të drejtë, ose do të vdes duke u përpjekur”.
The post Letra prekëse e Diomande për motrën që humbi jetën 15 vjeçe: “Ti thoje se do të bëhesha më i mirë se Cristiano, do ta përshëndes për ty” appeared first on Telesport.








