Cakolli: Kapitali politik i LVV-së do ta diktojë mbarëvajtjen e diskutimit për presidentin

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit janë tregues që këto zgjedhje nuk ishin të nevojshme e nuk janë as zgjidhje sa i përket çështjes së presidentit, çështje që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Megjithatë sipas Cakollit, fakti që Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë e vetme qeverinë dhe rezultati që e ka arritur, do ta diktojë mbarëvajtjen e diskutimeve për çështjen e presidentit.

“Ka pasur dy faktorë që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, me zgjedhje të shpeshta dhe bllokadë institucionale. E para ka qenë mungesa e vullnetit politik për ta zgjidhur këtë çështje, prej të dyja palëve. E dyta është mungesa e besimit politik që vijon ta karakterizoj këtë situatë politike. Megjithatë kapitali politik që e ka Lëvizja Vetëvendosje do ta diktojë në masë të madhe edhe vetë mbarëvajtjen e diskutimeve për çështjen e presidentit”, ka thënë Cakolli.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri në detyrë Albin Kurti, deklaroi se partitë duhet të sillën në përputhje me rezultatin që e morën në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, gjatë një adresimi në rrjetet sociale ku i uroi partitë opozitare për “rezultatet e korrura”.

Në lidhje me këtë deklarim, Cakolli në emisionin “60 Minuta” në KTV, potencoi se pikërisht ky rezultat e obligon Lëvizjen Vetëvendosje me përgjegjësinë më të madhe në zhbllokadë.

“Në aspektin parimor pajtohem që partitë politike duhet të sillen konform rezultatit dhe këtu rezultati e ka obliguar prapë më së shumti Lëvizjen Vetëvendosje në mesin e partive tjera që edhe ato kanë përgjegjësinë e tyre proporcionale konform rezultatit, të kontribuojnë në formimin e institucioneve. Kontributi më i mirë do të ishte që marrëveshja politike të përfshinte të paktën si diskutim fillestar të gjitha pozitat kryesore, që janë kryeparlamentari, kryeministri dhe presidenti, si pjesë e një pakoje më të gjerë të marrëveshjes politike”, ka deklaruar Cakolli.

Rezultati i zgjedhjeve sipas Cakollit megjithatë do të duhej të ishte mësim që nuk priten përqindje të tjera edhe po të shkohet sërish në cikël të ri zgjedhor.

Sipas tij, njëra palë duhet të lëshojë pe.

“Edhe subjektet opozitare e kanë të qartë besoj në bazë të rezultatit që zgjedhjet e reja do të mund që të prodhojnë pothuajse rezultat të njëjtë dhe herë do kurdo njëra palë do të duhej të bëjë lëshim në kuptim të marrëveshjes politike. Në bazë të nivelit të përgjegjësisë ai i cili duhet ta ndërmarrë iniciativën për një konsensus ose marrëveshje të tillë është padyshim Kurti si kryetar i LVV-së që është subjekti i parë nga zgjedhjet”, është shprehur Cakolli në “60 Minuta”.

Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqet nga Albin Kurti fitoi sërish shumicën mes partive shqiptare në Kuvend, duke marrë 53 deputetë. PDK-ja pati 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.