Çmimet e naftës bien pas nënshkrimit të marrëveshjes SHBA-Iran

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë ndjeshëm të enjten, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani nënshkruan një marrëveshje të përkohshme për t’i dhënë fund konfliktit, duke rifilluar një trend rënës që u ndërpre përkohësisht nga paralajmërimi i Presidentit Donald Trump.

Sipas të dhënave të tregut, Brent crude (nafta referencë për Europën) u ul me 1.53 dollarë, ose 1.9%, duke arritur në 78.02 dollarë për fuçi në orën 13:26 GMT.

Pas disa ditësh rënies së vazhdueshme, çmimet e naftës patën një rritje të shkurtër të mërkurën, duke kaluar përkohësisht mbi 81 dollarë për fuçi, shkruan rtsh.al.

Kjo ngjitje erdhi pasi Presidenti Trump paralajmëroi se SHBA mund të “kthehet menjëherë në hedhjen e bombave” mbi Iran nëse ky i fundit “nuk sillet siç duhet”.

Megjithatë, nënshkrimi i marrëveshjes së përkohshme të paqes midis Washingtonit dhe Teheranit riktheu qetësinë në tregje, duke ulur frikën e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme – një zonë kyçe për prodhimin dhe transportin e naftës.