Kandidatja e LDK-së për deputete, Fahrije Hoti, ka reaguar pasi nuk arriti të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti falënderoi 12 mijë e 729 qytetarët që i dhanë besimin e tyre, duke thënë se ndonëse nuk do të jetë pjesë e Parlamentit, do të vazhdojë angazhimin e saj në fuqizimin e grave dhe zhvillimin e komunitetit.
“Kur kombi kërkon, aty do të jem gjithmonë. E pata të vështirë të vendos t’i hyj garës politike. Jo nga frika, por nga parimet me të cilat jam rritur e jetoj çdo ditë e që janë nderi, puna dhe edukata familjare. Mbi këto vlera kam ndërtuar çdo hap të jetës sime. Fati dhe Zoti më caktuan të jem aty kur shumëkush kishte frikë të ishte, në kohën kur jeta matej me mbijetesë. Pas luftës, rifillova nga hiri. Kërkuam eshtrat e familjarëve tanë nën blozën dhe rrënojat e shtëpive që serbia fashiste e gjenocidale i kishte bërë rrafsh me tokë. Por nuk u ndala kurrë. Më dha forcë familja ime, Krusha ime, Kosova ime dhe mbarë shqiptaria. Me 7 qershor, 12,729 qytetarë më dhanë besimin e tyre. Më vjen keq që nuk arrita të bëhem pjesë e Parlamentit të Republikës sonë të dashur, por mirënjohja ime për ju është e pafund”, shkroi ajo.
Hoti ka kujtuar edhe periudhën e luftës dhe sfidat me të cilat u përball pas saj, duke përmendur se nuk u ndal asnjëherë falë mbështetjes së familjes, Krushës dhe qytetarëve të Kosovës.
“Kthehem në Krushë, aty ku i përkas. Kthehem te puna, te gratë, te kooperativa, te fuqizimi i grave dhe te misioni që e kam nisur shumë kohë më parë. Do të vazhdoj të eksportoj ajvarin, produktet tona dhe emrin e Kosovës nëpër botë. Sepse produktet nga duart e grave tona janë dinjitet, qëndresë e dëshmi se kur gratë marrin hapësirën që meritojnë, ato ndërtojnë gjithçka. Faleminderit secilit që besoi. Faleminderit çdo gruaje që pa veten e saj tek unë. Faleminderit çdo të riu që besoi se ndryshimi fillon kur njerëzit e ndershëm marrin përgjegjësi. Jam këtu. Gjithmonë kam qenë. Gjithmonë do të jem!E juaja.”, shkroi Hoti.







