Mark Rutte, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se Aleanca planifikon që ta zvogëlojë numrin e ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Kjo, siç thekson ai, për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë.
“Në këtë moment, ju e shihni që KFOR-i ka rreth 4.700 ushtarë. Ajo çfarë do të bëjmë është që do të kthehemi në nivelet e para vitit 2023. Sigurisht, varësisht nga rrethanat, do të shihni një KFOR me 3 mijë deri në 3 mijë e 500 trupa. Dhe, mendoj se duke pasur për bazë përmirësimin e situatës, KFOR-i do të vazhdojë të jetë i fokusuar në misionin e tij thelbësor”, tha Rutte në një konferencë për media nga Brukseli, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ky ndryshim që do ta bëjë NATO, Rutte thekson se vjen pas përmirësimit të situatës së sigurisë, të cilën e quan lajm të mirë.
“Prandaj, NATO-ja në janar i dha fund dislokimit të forcave rezervë në KFOR. Kjo ndodhi dy vjet pas rotacionit të vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë, ne vazhdimisht po shikojmë për pozicionimin më të mirë për KFOR-in për të ardhmen”, shtoi ai.
Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, më 12 qershor, deklaroi se gradualisht gjatë vitit të ardhshëm do të zvogëlojë praninë e trupave të KFOR-it.
“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich.
“Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.
Rreth 1 mijë trupa të NATO-s ishin dislokuar në Kosovë në vitin 2023 për shkak të tensioneve në Veri të Kosovës.
Në Kosovë janë rreth 4 mijë e 600 trupa të KFOR-it nga 31 vende të botës. Më së shumti ka nga Italia, 907, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë 590.







