Inspektorati i Punës me thirrje për kujdes të shtuar në punë për shkak të temperaturave të larta

Inspektorati Qendror i Punës ka dalë më një njoftim duke ju bërë thirrje punëdhënësve dhe punëmarrësve që të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin në punë si pasojë e temperaturave të larta.

“Inspektorati i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve dhe punëmarrësve, veçanërisht atyre që zhvillojnë aktivitetet e tyre në kantierë ndërtimi dhe në ambiente të hapura, që gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin në punë” – thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Ndërsa paralajmëruan se do ndërmerren veprimet ligjore përkatëse ndaj atyre subjekteve të cilat nuk i respektojnë masat e sigurisë.

IQP ka ftuar punëdhënësit që të ndërmarrin masat e nevojshme parandaluese ndërsa nga punëtorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojnë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës.

“Temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, prandaj është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa.” – thuhet në njoftimin e Inspektoratit Qendror të Punës.

Inspektorati Qendror i Punës theksoi përkushtimin ndaj vazhdimit në realizimin e inspektimeve dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Ata poashtu potencuan se siguria dhe shëndeti në punë janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbeten prioritet në çdo kohë.