Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar ashpër pas kritikave të Dejona Mihalit ndaj kryetarit Përparim Rama.
Dushi ka akuzuar Mihalin se po vepron si “megafon propagandistik i mbetjeve ideologjike në shuarje e sipër”.
Sipas tij, kritikat ndaj Ramës nuk lidhen vetëm me humbjet politike që Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar në Prishtinë, por edhe me frikën nga ndryshimet që po ndodhin.
“Mihajli, në rolin e megafonit të importuar propagandistik të mbetjeve ideologjike në shuarje e sipër, paska nxjerrë krejt helmin e saj në sulm të paprecendentë ndaj Kryetarit Perparim Rama. Ky nervozizëm i saj, nuk vjen veç prej humbjeve të njëpasnjëshme që Përparim Rama ua shkaktoi asaj dhe leifengëve të saj në Prishtinë, por edhe prej frikës se fundi i kësaj mendësie në Kosovë tashmë po shihet krejt qartë.
Ironikisht, fundin e tyre politik dhe elektoral po e sjell pikërisht zhvillimi dhe përparimi që po e sjellë dhe ndërton Përparim Rama, prandaj janë kaq të ndytë në sulme ndaj tij. Kosova ka mjaft dashakeqë jashtë, prandaj nuk ka nevojë me kontraktu e me mbajt Dejona e Mihajla mbrenda saj”, thotë Dushi.
Përparim Rama të hënën në një reagim pas aksidentit tragjik në autostradë ku humbën jetën disa persona, ka akuzuar Qeverinë për neglizhencë në trajtimin e problemeve infrastrukturore dhe për menaxhim të papërgjegjshëm të parasë publike.
Përmes një postimi publik, Rama tha se qytetarët po paguajnë çmimin e dështimeve institucionale si me jetë, ashtu edhe me taksat e tyre. Ai përmendi vendimin për ndarjen e 4.67 milionë eurove për largimin e dheut në autostradë, duke argumentuar se problemi ka mbetur i pazgjidhur për vite me radhë.
Sipas tij, vonesat në trajtimin e kësaj çështjeje kanë bërë që kostoja financiare të rritet, ndërsa institucionet të reagojnë vetëm pasi situata është përkeqësuar.
Rama kritikoi gjithashtu kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, fokusimin në arsyetimin e problemeve aktuale me gjendjen e trashëguar nga qeveritë e kaluara. Ai vlerësoi se infrastruktura rrugore ishte ndërtuar më herët, ndërsa sfida aktuale mbetet mirëmbajtja dhe menaxhimi i saj.
Në reagimin e tij, kryetari i Prishtinës akuzoi ekzekutivin për prioritizim të propagandës politike dhe komunikimit publik, në vend të zgjidhjes së problemeve konkrete me të cilat përballen qytetarët.
“Një pushtet që investon më shumë në propagandë sesa në zgjidhjen e problemeve reale nuk përfaqëson ndryshimin që premtoi”, ka shkruar Rama, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete për sigurinë e qytetarëve.
Në reagim të tij, Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, përdori gjuhë të rëndë ndaj kryetarit Përparim Rama.
“Paske përdorur një tragjedi për të zhgarravitur prapë me chatgpt. Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat? Hera-herës kur përfundon emergjencave duket se me çmimin më të lirë. Ps. Minjtë vijojnë nëpër lagjet e kryeqytetit, bashkë me plehrat. Kryetari jo, po Përpamiu”, ka thënë Mihali.








