Bastisje në Kamenicë, arrestohen dy drejtorë të shkollave paralele serbe

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në disa lokacione në Kamenicë mëngjesin e të premtes.

Dy drejtorë të institucioneve paralele arsimore serbe janë arrestuar, konfirmoi sot kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj.

“Në një nga aksionet më të rëndësishme të viteve të fundit në Kamenicë, janë bastisur shtëpitë e lokale dhe më pas janë arrestuar drejtorët e shkollave të sistemit paralel serb, N.V. dhe D.K., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale”, tha Rahimaj në një postim në Facebook.

Portali Sinjali raportoi bazuar në burime se dy të arrestuarit janë Negovan Vasiq (46-vjeç) dhe Dragan Kristiq (44-vjeç).

Gjatë bastisjes, janë sekuestruar para të gatshme, një vulë me stemën e Republikës së Serbisë që dyshohej se përdorej për dokumentacion të sistemit paralel dhe dokumente të tjera.

Ndaj tyre janë iniciuar procedura për veprat penale “Asgjësimi apo fshehja e materialit arkivor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.