Historia nuk rishkruhet, 12 qershori është Dita e Çlirimit, jo “ Dita e Paqes”

Shkruan: Burim Gjaka

Ka data që nuk i përkasin vetëm kalendarit. Ka data që bëhen pjesë e identitetit të një kombi, momente që ndajnë historinë në para dhe pas. Për Kosovën, një datë e tillë është 12 Qershori 1999.

Megjithatë, paradoksalisht, pikërisht dita që shënon fundin e okupimit serb dhe fillimin e lirisë së Kosovës vazhdon të trajtohet me paqartësi institucionale. Në dokumente zyrtare, në kalendarë shtetërorë dhe në komunikime publike ajo shpesh emërtohet si “Dita e Paqes”. Edhe më shqetësues është fakti se në shumë institucione publike e private kjo datë kalon si një ditë e zakonshme pune, pa statusin dhe peshën që meriton njëra nga ngjarjet më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Kjo nuk është thjesht çështje terminologjie. Është çështje e kujtesës historike, e respektit ndaj sakrificës dhe e mënyrës se si një shtet e trajton vetveten.

Më 12 qershor 1999 nuk ndodhi thjesht vendosja e paqes. Më 12 qershor ndodhi çlirimi i Kosovës. Paqja ishte pasojë. Çlirimi ishte ngjarja.

Paqja nuk erdhi si rezultat i një marrëveshjeje të barabartë ndërmjet dy palëve që vendosën të pajtohen. Ajo erdhi pasi një regjim shtetëror, i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, u detyrua të tërhiqej nga Kosova pas ndërhyrjes së NATO-s, rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së jashtëzakonshme të popullit shqiptar.

Kur përdoret vetëm termi “Dita e Paqes”, pa përmendur çlirimin, rrezikohet të humbet kuptimi i vërtetë i asaj që ndodhi. Historia nuk fillon me paqen. Historia fillon me sakrificën që e bëri të mundur atë paqe. Para 12 qershorit kishte dëbime masive të popullsisë, masakra, vrasje, burgosje, shkatërrime dhe një fushatë të organizuar shtetërore kundër shqiptarëve të Kosovës. Përballë kësaj dhune ishte një popull që kërkonte të drejtën më elementare: të jetonte i lirë në vendin e vet. Prandaj, përdorimi ekskluziv i termit “Dita e Paqes” krijon një paqartësi historike dhe morale. Ai e zhvendos vëmendjen nga shkaku te pasoja, nga liria te qetësia, nga sakrifica te rezultati. Nuk është e njëjta gjë të përkujtohet fundi i luftës dhe të përkujtohet çlirimi nga një regjim shtypës.

Presidenti amerikan Ronald Reagan kishte thënë: “Liria është vetëm një brez larg zhdukjes.” Kjo do të thotë se çdo brez ka detyrimin jo vetëm ta mbrojë lirinë, por edhe ta ruajë të vërtetën për mënyrën se si ajo është fituar. Kur ndryshojmë gjuhën me të cilën e përshkruajmë historinë, gradualisht ndryshojmë edhe vetë historinë në kujtesën kolektive.

Më 12 qershor 1999, qytetarët e Kosovës dolën nga strehimoret e improvizuara, refugjatët nisën kthimin në shtëpitë e tyre, ndërsa kolonat e forcave serbe po largoheshin nga territori i Kosovës. Në të njëjtën kohë nëpër qytete marshonin trupat e NATO-s, të pritura nga qytetarët si garantues të lirisë së sapofituar.

A ishte kjo thjesht paqe? Jo. Ishte fundi i okupimit. Ishte çlirimi i Kosovës.

Edhe dinjiteti i dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të luftës kërkon që kjo datë të emërtohet drejt. Askush nuk jep jetën për një paqe abstrakte. Njerëzit sakrifikohen për liri, për çlirim, për dinjitet kombëtar dhe për të ardhmen e brezave që vijnë. Paqja vjen më pas si fryt i asaj sakrifice.

Historiani britanik Paul Johnson ka shkruar se “kombet që harrojnë historinë e tyre rrezikojnë ta humbin të ardhmen e tyre”. Pikërisht për këtë arsye emërtimet nuk janë formalitete. Ato janë pjesë e kujtesës kombëtare. Ato formësojnë mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta kuptojnë të kaluarën e tyre.

Sot, pas më shumë se dy dekadash liri, Kosova ka nevojë për paqe të qëndrueshme, për pajtim dhe për ndërtim të së ardhmes. Por asnjëra prej këtyre nuk kërkon zbehjen e së vërtetës historike. Përkundrazi, paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi pranimin e së vërtetës dhe respektimin e kujtesës. Është e pakuptimtë që dita e çlirimit të Kosovës të mos ketë vendin që meriton në vetëdijen institucionale dhe shoqërore. Është e pakuptimtë që shumë institucione të vazhdojnë aktivitetin e zakonshëm të punës në një datë që simbolizon lindjen e lirisë së Kosovës. Shtetet serioze i nderojnë ditët e çlirimit si themele të identitetit të tyre kombëtar. Ato nuk i relativizojnë, nuk i zëvendësojnë me formula neutrale dhe as nuk i lënë të kalojnë si data të zakonshme kalendarike.

Për t’i dhënë kësaj date dinjitetin që i takon, institucionet tona duhet të veprojnë në dy nivele: atë të menjëhershëm ekzekutiv dhe atë afatgjatë legjislativ. ​Në planin e parë, Qeveria e Kosovës ka obligimin moral dhe mundësinë ligjore që, përmes një vendimi të veçantë ekzekutiv, ashtu siç veprohet tradicionalisht dhe me të drejtë për 28 Nëntorin,  ta shpallë 12 Qershorin ditë pushimi zyrtar për të gjitha institucionet. Nderimi i kësaj dite nuk mund të mbetet çështje dëshire apo vullneti individual i zyrave të administratës; ai duhet të sanksionohet me vendim shtetëror.

​Në planin e dytë, Kuvendi i Kosovës duhet të nisë gradualisht dhe me maturi procedurat e nevojshme për ndryshimin e Ligjit për Festat Zyrtare. Ndonëse e dimë që ky proces kërkon një konsensus të gjerë politik  dhe përballet me filtra specifikë kushtetues, ky nuk duhet të jetë arsyetim për plogështi. Kuvendi duhet të udhëheqë përpjekjen që kjo datë, nga një “ditë memoriale” me emërtim neutral, të kthehet në atë që është në të vërtetë: Dita e Çlirimit të Kosovës

Një shtet që nuk e nderon siç duhet ditën e çlirimit të vet, rrezikon të zbehë vetë themelet mbi të cilat është ndërtuar. Ndërsa një komb që e ruan të vërtetën historike, ruan edhe të ardhmen e tij. Historia nuk duhet të zbukurohet, të zbutet apo të relativizohet për arsye politike, diplomatike apo burokratike. Ajo duhet të thuhet ashtu siç ka ndodhur.

Më 12 qershor 1999, Kosova nuk u bë thjesht më e qetë.

Kosova u bë e lirë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, 12 Qershori nuk është thjesht “Dita e Paqes”.

12 Qershori është, mbi të gjitha dhe para së gjithash, Dita e Çlirimit të Kosovës.