Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniformat e UÇK-së, kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit, ndërsa kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.
Ata thanë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor në Hagë, ndërsa thanë se shpresojnë që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë.
Veterani invalid i luftës së UÇK-së, Asllan Doshi, i njohur si Zëvendës Komandant Togu, tha se marshi dhe përkujtimi i luftës çlirimtare janë shprehje respekti për veteranët, invalidët dhe të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit.
“Marshet edhe lufta e ushtrisë çlirimtare unë mendoj që është lufta e drejtë e ushtrisë çlirimtare edhe respekt për luftën, për veteranin, invalidët, luftës, për çlirimin është punë e madhe. Ne e besojmë që lirimi duhet me qenë i menjëhershëm se është domethënë dënim edhe është gjykim i padrejtë i luftës tonë çlirimtare”, tha ai.
Edhe veterani i luftës së UÇK-së, Hajzer Bistrica, kujtoi angazhimin e tij gjatë luftës, duke thënë se ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para deri në çlirimin e vendit.
Bistrica tha se ndihet krenar që është dëshmitar i gjallë i sakrificës së luftës dhe se emocionet e kësaj dite janë të papërshkrueshme.
“Kam shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës qysh prej ditët e para deri në ditën e çlirimit. Jam pjesëmarrës që kam bartur armatimin prej Shqipërie për Kosovë me ju ndihmu sado pak ushtarëve, të cilët nuk kanë pasur mundësi me marrë rrugën, jemi krenarë për atë periudhë që kemi pasur mundësinë me ndihmuar ushtarëve tonë që kanë qenë këtu. Jam krenar që sot e arrita edhe jam dëshmitar i gjallë i asaj sakrifice që ka ndodhur, rastësisht jetoj sot edhe unë kam pasur me qenë në mesin e atyre që janë sot dëshmorë, po që ka dashur Zoti me lënë dëshmitar edhe me tregu ato çka ka ndodh. E papërshkrueshme është gëzimi, emocionet janë të gjitha për sot për këta breza që sot ne po i gëzojmë lirinë po flasim shqip”, tha ai.
Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Bistrica tha se ata nuk do të duhej të përballeshin me atë proces dhe se pret kthimin e tyre sa më shpejt në Kosovë.
“Ata në rradhë të parë s’do duhej me i marrë hiq atje, po me propaganda të armikut edhe ata janë atje sot. Presim sa më shpejt që të vijnë në mesin tonë ata, ata janë kupola e ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, tha se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i shenjtë për luftëtarët dhe se çdo paraqitje me të zgjon emocionet e kohës së luftës.
“Por uniforma e jonë e cila u dalë edhe doli, kuptohet që ka dalë më 28 nëntor 1997, ku e kanë prezantuar në Llaushë atje, e kam fjalën atje në Drenicë. E për atë, sikur atë ditë, sikur sot unë i ndi ato emocione, a kupton? Sepse është diçka e shenjtë, që është uniformë e cila e kemi tonën edhe e kemi rreshtin. Neve na ka munguar një kohë edhe rreshti, sot e kemi rreshtin, sot rreshtohemi, sot e bëjmë me krenarinë më të madhe këtë, se e di për çka po i bëjmë. Kjo është ajo që e bën, e bën pa lodhje, se është vështirë me mbajtur uniformën, po të them të drejtën se ju jeni civilë, po uniforma e ka temperaturën por krenaria mbi të gjitha. Edhe amaneti i shokëve është që do të shkojmë brend, deri në ushtarin e fundit, deri në luftëtarin e fundit”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, falënderoi veteranët e UÇK-së për pjesëmarrjen në marsh, duke thënë se aktiviteti u organizua në shenjë përkujtimi të sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.
“I falënderoj shumë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot na u kanë bashkuar. Kemi bërë një marsh si shenjë e përkujtimit të sakrificës së madhe, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të secilit dëshmor, të secilës familje që ka sakrifikuar çdo gjë që sot ta kemi lirinë, demokracinë, që sot të bëhemi bashkë e të planifikojmë për të ardhmen e vendit tonë. Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit! Faleminderit shumë veteranëve! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe familjeve që kanë dhënë çdo gjë që sot të jemi të lirë e ta festojmë këtë ditë të mrekullueshme në paqe”, tha Rama.








