Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar dje se planifikon të japë dorëheqjen pas “tre ose katër muajsh, ndoshta edhe më herët”.
Gjatë një paraqitjeje në Radio Beograd, duke folur për datat e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ai tha se kjo “nuk do të jetë befasi për askënd” dhe se nuk dëshiron të thotë se “po e shkurton mandatin, por po jep dorëheqje”, shkruan agjencia serbe e lajmeve “Beta”, transmeton Paparaci.
“Kam filluar të paketoj librat në Presidencë. I kam pyetur miqtë se kush mund të pranojë 500 libra, ndërsa 1.200 librat që i kam marrë si dhuratë gjatë mandatit do t’ia dhuroj ndonjë institucioni, ende po mendoj se cilit”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Ai ka shtuar se çdo ditë mendon për kandidaturën e tij të mundshme për kryeministër, si edhe për kandidatin e ri për president nga radhët e pushtetit aktual.
“Ai do të jetë dikush më i përgjegjshëm, guxoj të them edhe më i arsimuar, më energjik dhe një njeri që e di çfarë është shteti. Sigurisht që do të jetë më i arsimuar se dy kandidatët e tyre, Vlladan Gjokiqi (rektori i Universitetit të Beogradit_ dhe Dejan Bodiroga (basketbollisti)”, ka thënë Vuçiqi./Paparaci.com








