Shumë herë në histori, ndeshja e fundit miqësore para një Botërori ka ndryshuar fatin e një skuadre ose të një lojtari. Një traditë që mund të vazhdojë edhe me Lautaro Martinez, të cilin e njohim shumë mirë nga futbolli italian. Katër vite më parë, kapiteni i Interit mbërriti në Botërorin e Katarit në kushte fizike jo ideale dhe u detyrua ta jetonte triumfin e Argjentinës në një rol dytësor. Që atëherë, ndeshjet si titullar nuk kanë qenë të shumta, pasi ishte kaluar në hierarki nga Julian Alvarez.
Sot situata është e kundërta. Alvarez është i dëmtuar dhe ende vuan pasojat e ndrydhjes së kyçit të këmbës, çka e detyroi të humbiste pesë ndeshjet e fundit në La Liga dhe u përkeqësua pas aktivizimit në gjysmëfinalen e kthimit të Champions-it kundër Liverpool.
Fitorja në miqësore e Argjentinës ndaj Hondurasit mund të ketë qenë pikë kthese për Botërorin e Lautaros. Mediat argjentinase vlerësuan shumë paraqitjen e tij. Përveç golit nga penalltia dhe asistit me thembër për Giuliano Simeonen, ai tregoi lidership, sidomos në mungesë të Lionel Messit, i cili nuk u aktivizua për arsye lëndimi. Gjithashtu, dëshmoi aftësinë për të luajtur si “9” dhe si “10”, duke krijuar hapësira për shokët e skuadrës.
Goli ndaj Hondurasit ishte i 37-ti në 67 ndeshje me Argjentinën. Që nga emërimi i Lionel Scalonit si trajner, vetëm Messi ka shënuar më shumë se Lautaro. Kjo e bën gjithnjë e më të mundshme praninë e tij si titullar në ndeshjen hapëse të Botërorit kundër Algjerisë, mes 16 dhe 17 qershorit. Ndërkohë, ai ka edhe miqësoren ndaj Islandës për ta bindur përfundimisht Scalonin.
The post Ngjitja e Lautaros në kombëtare; ja pse mund të jetë titullar me Argjentinën në Botëror appeared first on Telesport.








